Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose, mori pjesë në Konferencën Rajonale të zhvilluar në Shkodër, e organizuar nga United Rights Foundation (URF), me pjesëmarrjen e drejtueses ekzekutive të këtij fondacioni, Jona Dervishi.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit mes AMP-së dhe URF-së, me fokus rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit qytetar mbi rolin, kompetencat dhe funksionet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë konferencës u diskutua veçanërisht për mënyrat dhe mekanizmat përmes të cilëve qytetarët mund të paraqesin ankesat dhe shqetësimet e tyre, duke forcuar komunikimin e drejtpërdrejtë me institucionin dhe besimin te mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies.
Në diskutime morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, medias, Bashkisë dhe studentë, të cilët ndanë këndvështrimet e tyre mbi rëndësinë e aktivizimit qytetar dhe transparencës në veprimtarinë e institucioneve publike.
Pjesëmarrja e drejtuesit të AMP-së, Klevis Qose, në këtë aktivitet vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar komunikimin me komunitetin dhe për të rritur njohjen e qytetarëve mbi të drejtën për të denoncuar çdo shqetësim apo shkelje që lidhet me veprimtarinë e punonjësve të strukturave të mbikëqyrura nga Agjencia.
Bashkëpunimi mes AMP-së dhe URF-së synon të krijojë një marrëdhënie më të afërt mes institucionit dhe qytetarëve, duke promovuar transparencën, besimin publik dhe një kulturë më të fortë të përgjegjshmërisë institucionale.
