Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kërkon një buxhet prej 400 milionë lekësh për vitin 2027, ndërsa në projektbuxhetin e parashikuar janë planifikuar 291 milionë lekë për paga dhe shpenzime. Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose, ka paraqitur kërkesat financiare dhe prioritetet e institucionit për vitin e ardhshëm.
Gjatë prezantimit të nevojave buxhetore, Qose bëri të ditur se për pagat dhe shpenzimet kërkohet një shtesë prej 108 milionë lekësh. Ndërkohë, për mallra dhe shërbime janë parashikuar 50 milionë lekë, por nevojitet një financim shtesë prej 30.8 milionë lekësh.
“Për sa i përket vitit 2027: Për paga dhe shpenzime është e parashikuar 291 milionë për 2027-ën. Nevoja e buxhetit është 400 milionë, pra ka një kërkesë prej 108 milionë. Mallra dhe shërbime është e parashikuar 50 milionë, me një shtesë dhe kërkesë prej 30.8 milionë”, tha ai,
Sa i përket transfertave dhe buxheteve për familjarët dhe individët, fondi i parashikuar është 2.9 milionë lekë, ndërsa kërkesa shtesë arrin në 8.3 milionë lekë.
Qose tha se “shpenzimet për rritje dhe investime për vitin 2027 është 12 milionë dhe një shtesë për plotësimin e gjithë nevojave 175 milionë”.
Një ndër prioritetet kryesore të Agjencisë për vitin 2027 është zgjerimi i strukturës organizative.
“Për sa i përket prioriteteve të veçanta që ka agjencia për vitin 2027. Është një strukturë e re me numra të rinj nga 174 punonjës në 228 për të plotësuar të gjitha nevojat hetimore, proceduriale dhe administrative, me një efekt financiar 87.4 milionë”, tha Qose.
Gjithashtu, Qose tha se kërkohet edhe ndryshimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për njohjen e vjetërsisë në punë të punonjësve, me një efekt financiar prej 20.8 milionë lekësh.
Në listën e prioriteteve janë përfshirë edhe ndryshime ligjore për kalimin nga njësia buxhetore në program buxhetor, si dhe ndryshime në ligjin për vlerësimin kalimtar të punonjësve në kuadër të procesit të vettingut. Sipas Qoses, këto dy ndryshime nuk kanë efekt financiar.
Një tjetër kërkesë e Qoses ishte edhe “sigurimi i jetës dhe shëndetit për punonjësit në 2.2 milionë në vit, si dhe rritjen e pagave dhe vështirësinë e punonjësve me efekt financiar”.
