Kreu i Tatimeve i përgjigjet Spiropalit: Deputetja dhe bashkëshorti kërcënuan inspektorët

Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj ka reaguar pas akuzave që deputetja e PS-së, Elisa Spiropali adresoi, duke deklaruar se ai në bashkëpunim me Belinda Ballukun e kishin kërcënuar dhe i kishin bërë presione. Binaj në një reagim në rrjete, shkruan se me Ballukun nuk ka zhvilluar kurrë asnjë takim, por sipas tij ka qenë Spiropali dhe bashkëshorti i saj kanë ushtruar presion ndaj Tatimeve dhe inspektorëve pasi në kontrollet që janë ushtruar në bizneset e saj janë ”evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha”.

Qëndrimi i plotë

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali. Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Të ngjashme