Asambleja e PS më 14 nëntor, fokusi te zgjedhjet vendore dhe ndryshimet e mundshme në qeveri

Asambleja e PS më 14 nëntor, fokusi te zgjedhjet vendore dhe ndryshimet e mundshme në qeveri

Kryesocialisti Edi Rama po diskuton me bashkëpunëtorët e tij mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, e cila pritet të mbahet më 14 nëntor. Burime nga Partia Socialiste i thanë gazetarit Muhamed Veliu se kjo datë është në diskutim, ndërsa në ditët në vijim pritet konfirmimi dhe njoftimi i të gjithë anëtarëve të Asamblesë.

Sipas të njëjtave burime, mbledhja vjen në një moment kur protestat e muajve të fundit, të kulmuara me ato të dhunshmet e Tetorit, kanë shpenzuar shumë energji të maxhorancës qeverisëse. Gazetari Muhamed Veliu rendit çështjet kryesore që pritet të jenë objekt diskutimi nga kryesocialisti Edi Rama, duke nisur nga përgatitja e zgjedhjeve vendore të 9 majit, përfshirë situatën me protestat që vazhdojnë pavarësisht rënies së pjesëmarrjes.

Krahas mobilizimit për t’i fituar këto zgjedhje, pritet që Edi Rama të shpalosë mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve socialistë për kryebashkiakë. Vlen për t’u parë nëse nga kjo asamble Edi Rama do të shpalosë idetë e tij se cila mund të jetë kandidatura perfekte për të fituar Bashkinë e Tiranës, më të madhen në vend.

Socialistët presin nga kjo asamble të dëgjojnë qëndrimet publike të kryetarit të PS-së për sa i përket Erion Veliajt, tashmë të vendosur publikisht në një kurs të fortë përplasjeje me Edi Ramën pas transferimit në burgun e Fierit. Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse do të futet në rendin e ditës të kësaj asambleje mocioni i Elisa Spiropalit, ku i kërkon Edi Ramës hapjen e Partisë Socialiste dhe adreson nevojën e një “Marrëveshjeje të Re për Shqipërinë”.

Asamblenë e shtatorit 2023, Edi Rama e përdori për të shpalosur ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij qeverisës. Mbetet tërësisht ekskluzivitet i Ramës nëse do ta përdorë Asamblenë e 14 nëntorit për ndryshime thelbësore në kabinetin e tij të katërt, në një kohë kur qeveria po përballet me një mori shqetësimesh të ardhura nga protestat, për të cilat kryeministri thotë se i ka mbajtur shënim dhe po adresohen.

Të ngjashme