Banka Botërore: Bujqësia shqiptare në krizë strukturore, prodhimi bie dhe varësia nga importet rritet

Banka Botërore: Bujqësia shqiptare në krizë strukturore, prodhimi bie dhe varësia nga importet rritet

Bujqësia shqiptare vijon të përballet me dobësi të thella strukturore, ndërsa tkurrja e blegtorisë, fragmentimi i tokës, produktiviteti i ulët dhe paqëndrueshmëria e politikave mbështetëse po kufizojnë konkurrueshmërinë e sektorit. Këto janë gjetjet kryesore të raportit më të fundit të Bankës Botërore, me titull “From Farm to Market: An assessment of agri-food sector competitiveness in the Western Balkans and Moldova”, i cili analizon konkurrueshmën e sektorit agro-ushqimor në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavi.

Raporti thekson se potenciali i konsiderueshëm natyror dhe klimatik i Shqipërisë nuk është shoqëruar me një transformim të qëndrueshëm të sektorit, kryesisht për shkak të fermave të vogla, investimeve të pamjaftueshme dhe dobësive institucionale. Sipas Bankës Botërore, megjithëse vendi ka arritur të zhvillojë eksporte konkurruese në perime, agrume dhe bimë mjekësore, një pjesë e konsiderueshme e prodhimit bujqësor mbetet e ekspozuar ndaj importeve dhe rreziqeve të tregut.

Në kapitullin kushtuar Shqipërisë, raporti evidenton dy realitete të ndryshme: nga njëra anë, investimet private kanë nxitur zgjerimin e prodhimit të perimeve, serave, agrumeve dhe ullinjve, ndërsa nga ana tjetër sektorët tradicionalë, veçanërisht blegtoria dhe drithërat, po përballen me rënie të prodhimit dhe humbje të konkurrueshmërisë.

Një nga zhvillimet më shqetësuese të evidentuara nga Banka Botërore është tkurrja e vazhdueshme e blegtorisë. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur afro një të tretën e tufës së gjedhëve gjatë dekadës së fundit, ndërsa në një periudhë më të gjatë numri i tyre ka zbritur nga mbi 630 mijë krerë në vitin 2006 në rreth 300 mijë.

Rënia ka prekur gjithashtu numrin e deleve dhe dhive, duke reflektuar ndryshime të rëndësishme në strukturën e ekonomisë rurale. Banka Botërore identifikon emigracionin, plakjen e fermerëve, produktivitetin e ulët, kostot e ushqimit për kafshët dhe investimet e pamjaftueshme si faktorë që kanë ndikuar në këtë tkurrje.

Situata paraqitet veçanërisht problematike në sektorin e qumështit. Sipas të dhënave të raportit, grumbullimi i qumështit të papërpunuar ka rënë me 20–25% gjatë dekadës së fundit, ndërsa numri i fermave të qumështit është reduktuar nga mbi 70 mijë në më pak se 45 mijë. Struktura e prodhimit mbetet shumë e fragmentuar, me ferma që zakonisht zotërojnë vetëm 2–3 lopë.

Rendimenti mesatar vlerësohet në 2,500–3,000 litra për lopë, më pak se gjysma e nivelit të konkurrentëve rajonalë. Një tjetër tregues i produktivitetit të dobët është pesha mesatare e karkasës së gjedhëve, e cila në Shqipëri llogaritet në rreth 150–170 kilogramë, kundrejt 250–300 kilogramëve në vendet fqinje.

Këto dobësi kanë ndikuar në rritjen e nevojës për importe. Raporti evidenton se Shqipëria importon mbi 10 milionë litra qumësht në vit, krahas sasive të konsiderueshme të djathit dhe produkteve të tjera të qumështit. Varësia nga importet për disa produkte ushqimore bazë përbën një tjetër problem të rëndësishëm të evidentuar në raport.

Sipas analizës së Bankës Botërore, prodhimi vendas mbulon rreth 55% të konsumit të grurit, 55% të mishit të derrit dhe vetëm 24% të konsumit të mishit të shpendëve. Për mishin e gjedhit, niveli i vetëmjaftueshmërisë llogaritet në rreth 79%, ndërsa për qumështin arrin në 98%. Kjo panoramë ndryshon ndjeshëm për disa produkte të tjera bujqësore, ku Shqipëria arrin të prodhojë më shumë sesa konsumon.

Sipas treguesve të Bankës Botërore, vetëmjaftueshmëria arrin në 157% për luleshtrydhet, 131% për lakrën, 127% për kastravecët, 122% për specat, 117% për shalqinjtë dhe 116% për domatet. Edhe për mandarinat, prodhimi vendas rezulton më i lartë se konsumi, me një nivel vetëmjaftueshmërie prej rreth 115%.

Ndërkohë, Shqipëria mbetet e varur nga importet për disa agrume, me prodhimin vendas që mbulon rreth 62% të konsumit të portokajve dhe 60% të limonëve. Këto të dhëna dëshmojnë se konkurrueshmëria e bujqësisë shqiptare është e përqendruar në disa kultura specifike, ndërsa sektorët e tjerë kanë vështirësi të përballojnë kërkesën e tregut vendas.

Banka Botërore evidenton ndryshime të rëndësishme në strukturën e prodhimit bujqësor gjatë dy dekadave të fundit. Sipërfaqet e kultivuara me drithëra janë reduktuar nga rreth 145–150 mijë hektarë në 130–135 mijë hektarë, ndërsa janë zgjeruar sipërfaqet e mbjella me perime, ullinj, agrume dhe bimë mjekësore.

Ky transformim është nxitur kryesisht nga kërkesa e tregut dhe investimet private në kultura me vlerë më të lartë ekonomike. Megjithatë, Banka Botërore vlerëson se zhvendosja nga drithërat drejt produkteve më fitimprurëse nuk duhet konsideruar domosdoshmërisht një zhvillim negativ.

Problemi qëndron te mungesa e një sistemi konkurrues të prodhimit të ushqimit për blegtorinë dhe te produktiviteti i ulët i fermave ekzistuese. Në këtë mënyrë, tkurrja e prodhimit të drithërave dhe dobësitë e sektorit blegtoral krijojnë një varësi të vazhdueshme nga importet e ushqimeve për kafshët dhe produkteve të tjera bujqësore.

Raporti evidenton se Shqipëria ka shënuar përparim në eksportet e produkteve bujqësore, veçanërisht në domate, kastravecë, speca, shalqinj, agrume dhe bimë mjekësore. Zhvillimi i prodhimit në sera dhe mundësia për të furnizuar tregjet ndërkombëtare në periudha të hershme të sezonit përbëjnë avantazhe të rëndësishme konkurruese.

Megjithatë, Banka Botërore paralajmëron se një pjesë e madhe e produkteve shqiptare konkurrojnë kryesisht përmes çmimeve të ulëta dhe jo përmes diferencimit cilësor apo markave të konsoliduara. Çmimet e eksportit për shumë produkte rezultojnë më të ulëta se nivelet referuese të Bashkimit Europian.

Kjo e bën konkurrueshmërinë shqiptare të ndjeshme ndaj rritjes së kostove të prodhimit, pagave, transportit dhe inputeve bujqësore. Sipas raportit, për të ruajtur dhe zgjeruar pozicionin në tregjet europiane, Shqipëria duhet të investojë më shumë në standardizimin e prodhimit, certifikimin dhe ruajtjen e cilësisë.

Të ngjashme