Enea Mitri dhe call center-at e fasadës mjekësore; trafik kokaine e pastrim parash nga Tirana në Rimini

Enea Mitri dhe call center-at e fasadës mjekësore; trafik kokaine e pastrim parash nga Tirana në Rimini

Enea Mitri, një nga bosët e call center-ave në Tiranë, operon i paprekur përmes kompanive me fasadë mjekësore, pavarësisht se ka dalë nga burgu për trafik kokaine dhe informacionet nga vendet partnere janë në tryezë..

Muaji i fundit ka qenë i nxehtë për call center-at në Shqipëri. Operacione të njëpasnjëshme, goditje në Tiranë e në rrethe, pranga, sekuestrime, ekstradime. Autoritetet kanë dalë në konferenca për shtyp dhe kanë premtuar se askush nuk do të mbetet jashtë rrjetës. Por një grup nuk është prekur fare. Rrjeti i Enea Mitrit, njërit prej bosëve të call center-ave të Tiranës, vijon i patrazuar.

Enea Mitri nuk është emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në korrik të vitit 2016, ai dhe i ati, Mikel Mitri, u arrestuan në flagrancë gjatë operacionit “Seven”. Në atë operacion u sekuestruan 1 kilogram e 257.8 gramë kokainë, 41.4 gramë kanabis, 12.800 euro, 15 telefona celularë, 3 automjete dhe 2 peshore elektronike. Mikel Mitri ishte kreu i grupit të shpërndarjes së kokainës në lokalet e Tiranës dhe furnizuesi i VIP-ave, ndërsa i biri 23-vjeçar ishte pjesë e grupit.

Por Mikel dhe Enea Mitri nuk qëndruan gjatë në burg. Paratë e drogës blenë prokurorin e çështjes dhe gjyqtarin. Të dy dolën shumë shpejt. Mikel Mitri i shpëtoi edhe ligjit anti-mafia për sekuestrimin e pasurive të ardhura nga aktiviteti kriminal dhe vazhdoi aktivitetin e tij në Rimini të Italisë, aktivitet për të cilin do të ndalemi në vijim.

Tetë vjet më vonë, Enea Mitri nuk shpërndan më kokainë. Ka gjetur diçka shumë më fitimprurëse dhe sot është një nga bosët e call center-ave të Tiranës, trashëgimtari i Amant Josifit. Teksa të gjithë call center-at e tjerë po goditen, rrjeti i tij mbetet i paprekur.

Formula është e thjeshtë dhe tashmë e njohur. Një shoqëri me fasadë mjekësore, një administrator besnik, ortakë të fshehur dhe një ushtri operatorësh që në italisht, gjermanisht e spanjisht u shesin qytetarëve evropianë investime false.

Kompania E&E Holding, ka administrator E.T dhe ortakë E. T me 50% të kuotave dhe Enea Mitrin me 50%. Në objekt të shoqërisë përmenden shërbime, ndihmë dhe konsulencë mjekësore me video e audio për klientët dhe pacientët, ofrim trajnimesh profesionale mjekësore përmes platformave online dhe shitje artikujsh shëndetësorë. Po ashtu, në objekt përfshihet dhe operimi i call center-ave, brenda dhe jashtë vendit.

Kompania e dytë është DigiDoc Doctors. Administratore është M. S, ish-mjeke e proceduar nga SPAK. Zotërues 100% i kuotave është S. T, alias J. Prifti nga Berati. Adresa e shoqërisë është Rruga Bajram Curri në Tiranë. Objekti flet për konsulencë mjekësore me video e telefon, operim call center-ash, trajnime mjekësore përmes internetit, shitje artikujsh mjekësorë dhe realizim anketash e studimesh me fokus telemjekësinë.

Të dyja kompanitë përdorin të njëjtën fasadë. Nga jashtë, një start-up inovativ shëndetësor që ofron shërbime telemjekësie. Aktiviteti real është thirrja outbound ndërkombëtare, pikërisht tipi i operacionit që përshkruhet në dosjet e OCCRP, BIRN dhe raportet e LKA Baden-Württemberg për Milton Group. Shitja e “paketave të shërbimeve mjekësore online” është mjaftueshëm e paqartë sa për të mbuluar çdo skemë, nga investimet në trajtime të dyshimta me qeliza staminale deri te paketat e kujdesit shëndetësor që në fakt janë mashtrime të mirëfillta.

Informacionet për këtë rrjet kanë ardhur nga vendet partnere. Qytetarë evropianë të mashtruar, dosje të hapura. Por në Shqipëri, Enea Mitri vijon i patrazuar dhe rrjeti i tij nuk preket… /Pamfleti

Të ngjashme