Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në syrin e majtë gjatë protestave në Tiranë, do t'i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale më 11 nëntor në spitalin “Gemelli” në Romë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vishkulli përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e konsideron këtë operacion si një nga sfidat më të rëndësishme të jetës së tij.
Sipas tij, kjo ndërhyrje do të jetë vendimtare për rikthimin e shikimit, pasi rikuperimi i tij mbetet për t'u parë në operacionin e radhës. Ai shprehet se me besimin te Zoti shpreson që gjithçka të shkojë mirë dhe falënderon nga zemra të gjithë ata që e kanë mbështetur, mesazhet dhe lutjet gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur dhe janë interesuar për gjendjen time, ju informoj se më datë 11 nëntor do t'i nënshtrohem një tjetër operacioni në spitalin Gemelli në Romë. Ky do të jetë operacioni vendimtar për shikimin tim, një sfidë shumë e madhe në jetën time”, shkruan Vishkulli në mesazhin e tij.
Ndërhyrja e 11 nëntorit do të jetë operacioni i tretë për të riun, pas dy ndërhyrjeve të mëparshme. Ndërhyrja e parë kirurgjikale u krye në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa e dyta në klinikën “Gemelli” në kryeqytetin italian më 28 tetor, ku mjekët italianë arritën të shpëtonin syrin e tij.
Pas plagosjes me plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit, i riu u transportua drejt Italisë për të marrë trajtim të specializuar mjekësor. Për trajtimin e tij në Itali, qeveria shqiptare ka akorduar një mbështetje financiare prej 5 milionë lekësh të rinj. Tashmë, Vishkulli përgatitet për një tjetër operacion në të njëjtën klinikë, nga i cili shpreson të rikuperojë shikimin.
Ndërhyrja e radhës pritet të jetë vendimtare për gjendjen e shikimit të tij, ndërsa ai vazhdon të marrë mbështetje nga personat që i qëndrojnë pranë.
