Flladi Dano, Tano Karidi i legalizimeve, pazare, denoncime për ryshfet dhe favore për oligarkët e kullave

Zyra kadastrale Tirana Jug është kthyer në objekt denoncimesh të rënda për ryshfete, zvarritje të qëllimshme të legalizimeve dhe favorizime të interesave të mëdha të ndërtimit. Në krye të saj qëndron Flladi Dano, ish-drejtor i Kadastrës së Shkodrës, i cili prej 3 viteve drejton një nga zyrat më të rëndësishme të administrimit të pronave në kryeqytet.

Në këtë drejtori, qytetari që kërkon certifikatën e pronës apo përfundimin e legalizimit përballet me një mekanizëm pengesash administrative, ku dosja mund të endet me muaj nëpër zyra, pavarësisht se dokumentacioni është i rregullt. Sipas denoncimeve, zvarritja përdoret si mjet presioni për të detyruar aplikuesit të paguajnë para nën dorë.

Në informacionet e redaksisë, Flladi Dano përmendet drejtpërdrejt si përfitues i ryshfeteve të pretenduara, ndërsa ngrihen dyshime për një pasurim të tij në përmasa milionëshe gjatë ushtrimit të funksioneve në administratën e pronave.

Mekanizmi i denoncuar mbështetet te hallkat që kanë në dorë ecurinë e praktikave. Specialistët verifikojnë dokumentacionin, përgjegjësit e sektorëve kontrollojnë dosjet, ndërsa drejtuesit ushtrojnë kompetencat përkatëse të miratimit. Një praktikë mund të mbahet pezull me kërkesa për plotësime, verifikime të përsëritura apo vonesa që qytetarit nuk i shpjegohen.

Në këtë mekanizëm, burimet përmendin edhe dy vartës të Danos, përgjegjësin e sektorit S. Biba dhe specialistin F. Mata, të cilët akuzohen se, krahas detyrave zyrtare, kryejnë edhe rolin e sekserëve për pagesat informale të legalizimeve.

KLSH zbulon shkelje, ndërsa 18 masa disiplinore mbeten në sirtarë

Në mars 2026, KLSH publikoi raportin përfundimtar mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit në drejtoritë e Kadastrës së Tiranës.

Për Kadastrën Tiranë Jug, audituesit konstatuan se 12 rekomandime organizative nuk ishin zbatuar, ndërsa 18 masa disiplinore të rekomanduara, përfshirë paralajmërime për largim nga detyra dhe zgjidhje kontratash pune, kishin mbetur të pazbatuara nga Drejtoria e Përgjithshme e ASHK-së gjatë periudhës së kontrolluar.

Në të njëjtin raport evidentohen probleme me regjistrimin e pronave shtetërore dhe vendime legalizimi për të cilat kërkohej rishqyrtim administrativ.

Këto konstatime kanë peshë të veçantë për drejtimin e institucionit. Ndërsa qytetarët ankohen për dosje që nuk përfundojnë, audituesit kanë identifikuar mangësi që kërkojnë veprime konkrete administrative dhe disiplinore.

Flladi Dano, si drejtues i kësaj drejtorie, është përgjegjës për administrimin e institucionit dhe zbatimin e detyrave që i takojnë strukturës së tij. Pikërisht për këtë arsye, shpjegimet për vonesat, trajtimin e ankesave dhe masat ndaj punonjësve nuk mund të mbeten peng i një tjetër procedure burokratike.

Denoncimet për Kadastrën Tiranë Jug shtrihen edhe te marrëdhëniet me subjektet e mëdha të ndërtimit.

Në informacionet e redaksisë përmenden favorizime të mundshme për investitorë të kullave, të cilët kanë interesa financiare shumë më të mëdha sesa qytetarët që kërkojnë legalizimin e banesave.

Në tregun e pronave të Tiranës, një hartë kadastrale, një korrigjim sipërfaqeje apo regjistrimi i një trualli mund të ndikojë drejtpërdrejt te realizimi i një projekti miliona eurosh.

Ndaj edhe dyshimet mbi përshpejtimin e praktikave për ndërtues të fuqishëm marrin peshë të veçantë, sidomos kur krahasohen me denoncimet e qytetarëve për vonesa të gjata dhe pengesa administrative.

SPAK ka hetuar edhe më parë dosje korrupsioni që lidhen me këtë zyrë kadastrale, duke zbuluar mekanizma ryshfetesh dhe ndërmjetësimi për legalizimet. Nuk dihet ndërkohë nëse emri i drejtorit aktual, Flladi Dano, figuron në dosjet e hetuesve apo në informacionet që kjo strukturë ka administruar për veprimtarinë e institucionit. /Pamfleti

Të ngjashme