Formimi i qeverisë në Izrael: Herzog i jep mandatin Eisenkotit, Netanyahu rrezikon pushtetin

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka zgjedhur ish-shefin e ushtrisë dhe kreun e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për të tentuar formimin e qeverisë së re, duke i dhënë një goditje përpjekjeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të qëndruar në pushtet. Zyra e presidentit ka bërë të ditur se Herzog e ka informuar Eisenkotin për vendimin.

Mandatimi zyrtar pritet të zhvillohet të dielën, në një ceremoni në rezidencën presidenciale në Jerusalem, raporton agjencia Reuters dhe mediat ndërkombëtare. Vendimi vjen pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë për asnjërin prej kampeve politike.

Koalicioni i drejtuar nga Netanyahu siguroi 53 vende në Knesset, ndërsa blloku i opozitës i udhëhequr nga Eisenkot ka 48 vende. Partitë arabe, që kanë siguruar gjithsej 19 mandate, kanë mbështetur kandidaturën e këtij të fundit. Gjatë konsultimeve me presidentin, 67 deputetë rekomanduan Eisenkotin për formimin e qeverisë, ndërsa 46 mbështetën Netanyahun.

Megjithatë, mbështetja në konsultime nuk garanton automatikisht krijimin e një shumice qeverisëse. Eisenkot, 66 vjeç, është ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite dhe një nga kundërshtarët kryesorë politikë të Netanyahut. Ai përballet tashmë me sfidën e krijimit të një koalicioni mes partive me qëndrime të ndryshme, veçanërisht për çështjen e bashkëpunimit me partitë arabe.

Sipas Reuters, kandidati që merr mandatin do të ketë 28 ditë kohë për të negociuar dhe formuar qeverinë, me mundësinë e një zgjatjeje prej dy javësh. Nëse Eisenkot nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme, procesi i formimit të qeverisë mund të kalojë te një kandidat tjetër, ndërsa dështimi i negociatave mund ta çojë Izraelin drejt zgjedhjeve të reja.

Të ngjashme