I cilësoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si ‘idiotë’, VLEN kërkon sqarim nga ministri Hoxha: Skandal i rëndë!

Ferit Hoxha
Ferit Hoxha

Koalicioni shqiptar në Maqedoninë e Veriut, VLEN, ka reaguar pas publikimit të një mesazhi që i atribuohet ministrit Ferit Hoxha, duke e konsideruar përmbajtjen si problem serioz në planin politik dhe diplomatik.

Në një foto të publikuar, vërehet mesazhi i ministrit Ferit Hoxha, i cili i cilëson shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si idiotë.

Në deklaratë, VLEN thekson se gjuha e përdorur në mesazh është fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe bie ndesh me standardet e komunikimit institucional. Sipas këtij subjekti, mënyra e shprehjes ngre dyshime për qëndrimin që një përfaqësues shtetëror mban ndaj bashkëkombësve jashtë territorit të Shqipërisë.

Koalicioni thekson se rasti nuk mund të trajtohet si një keqkuptim i zakonshëm, duke iu referuar reagimeve të shumta që kanë ardhur nga figura publike dhe qytetarë në të dy vendet.

VLEN shprehet se fshirja e mesazhit nuk e zhbën ndikimin që ai ka pasur në publik dhe kërkon një qëndrim të qartë nga vetë Hoxha. Në të njëjtën kohë, kritikohet mungesa e reagimit nga institucionet në Shqipëri, të cilat , nuk kanë mbajtur një qëndrim të dukshëm për këtë çështje.

Koalicioni VLEN kërkon që ministri Ferit Hoxha të japë një sqarim publik dhe të kërkojë falje për përmbajtjen e mesazhit, duke e konsideruar këtë si hap të nevojshëm pas situatës së krijuar.

“VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton, ministri Ferit Hoxha duhet të kërkojë falje publike

Mesazhi përçmues i ministrit të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë”, përbën skandal të rëndë politik dhe diplomatik. Një gjuhë e tillë është e papranueshme, fyese dhe larg çdo etike. Ajo dëshmon mungesë të kulturës diplomatike dhe hap dilema serioze se si mund një përfaqësues i shtetit shqiptar të flasë me përçmim për shqiptarët këtej kufirit.

VLEN nuk mund ta trajtojë këtë rast si një incident të zakonshëm komunikimi. Reagimet e shumta nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, përfaqësues politikë, gazetarë, publicistë dhe qytetarë dëshmuan se kjo gjuhë u lexua ashtu siç ishte fyese, përçmuese dhe e papranueshme.

Pas kësaj, Hoxha e fshiu postimin, sikur me një klik mund të fshihej edhe ofendimi publik. Por fshirja e postimit nuk mjafton. Për një akt të tillë duhet falje publike. Edhe më shqetësuese është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë distancim dhe asnjë fjalë për këtë gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Mesazhi bëhet edhe më i rëndë nga fakti se në atë komunikim figuron edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani. Në vend që të dënohej një gjuhë e tillë, me të drejtë është krijuar përshtypja se Tirana zyrtare, përmes ambasadorit të saj, po vendoset në funksion të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e papranueshme.

Kush përpiqet ta paraqesë këtë si ofendim vetëm ndaj VLEN-it, gabon rëndë. VLEN-in e kanë votuar dhjetëra mijëra shqiptarë. Pas VLEN-it qëndrojnë familje, intelektualë, punëtorë, pleq e të rinj, njerëz të ndershëm që kanë zgjedhur me votë rrugën e tyre politike.

Prandaj, ky nuk është vetëm sulm ndaj një subjekti politik, por përçmim ndaj një pjese të madhe të elektoratit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë periferi e kombit. Ata janë pjesë e pandashme e trungut shqiptar. Çdo gjuhë përçmuese ndaj tyre nuk prek vetëm një subjekt politik, por fyen një pjesë të gjallë të kombit shqiptar.

Ferit Hoxha duhet së paku të kërkojë falje publike“, shkruan VLEN në reagim.

Të ngjashme