‘Oktapodi’ i shëndetësisë Klod Allajbeu, përmes të besuarës së tij, ministres Evis Sala, ka shkarkuar dje nga detyra drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Anxhela Paparizo. Vendimi i Allajbeut për të shkarkimin drejtoreshës së diktuar po prej tij mësohet se ka ardhur pas një përplasje të ashpër në prapaskenë pasi Paparizo refuzonte të firmoste disa projekte korruptive të Allajabeut, i cili synon kapjen e plotë të sektorit shëndetësor publik, për t’a miksuar dhe binjakëzuar me Spitalin Amerikan.

Sipas burimeve, Anxhela Paparizo nuk ka pranuar për të firmosur disa vendime me pasoja financiare dhe penale nga pirgu i dosjeve dhe vendimeve që janë refuzuar për t’u firmosur nga paraardhësi Florenc Spaho. Anxhela Paparizo, ashtu si paraardhësi i saj që u shkarkua, e ka parë me dyshim dhe me risk të madh pasojash, projektin për binjakëzimin e QSUT-së me Spitalin Amerikan, kamufluar me disa izraelitë, pas të cilëve si gjithnjë qëndron i njëjti ‘usta’ që ka kapur shëndetësinë. Pas binjakëzimit synohet dhënia me koncension e QSUT, e cila po degradohet qëllimisht.

(Anxhela Paparizo)
Krahas shkarkimit përmes udhërimit të Evis Salës, Klodjan Allajbeu ka menduar edhe për zëvëndësimin e Paparizos me një personazh të besuar, me dosje korrupsioni dhe e sprovuar për firmosjen e aferave korruptive. Bëhet fjalë për Rudina Degjonin, drejtoreshë Spitalit të Fierit, e njohur si kamarierja e Klod Allajbeut. Fillimisht, Allajbeu i dha besimin dhe e testoi kamarieren e tij, duke e emëruar drejtoreshë të Spitalit Rajonal Memorial Fier, për ndërtimin e të cilit Allajabeu ka luajtur rolin e sekserit, madje edhe duke u tallur me Edi Ramën, duke i dhënë informacione të rreme për kompani që nuk i donte Allajbeu, nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

(Rudina Degjoni)
E pandehur për të ashtuquajturën aferën e botoksit, si drejtoreshë Spitalit të Fierit, Rudina Degjoni finalizoi disa afera me tendera, shpërdorime dhe pazare, të konstatuara edhe nga një raport i disa muajve më parë i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Rudina Degjoni krijoi një skemë korruptive tenderash me Janis Karathanon, Besnik Halilin, Skënder Lufin, Haxhi Shahun, Orjada Jahon, Ermal Rizajn etj. Karathano është prestanome i Klod Allajbeut në koncensionin 130 milionë euro të laboratorëve, ku paratë tranferohen në Holandë, Londër dhe vijnë sërish në Shqipëri, duke u investuar (pastruar) në pasuri të paluajtshme. Si Allajbeu, ashtu edhe Karathano është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Aferat e botoksit
Në shtator të vitit 2023, Prokuroria e Fierit mori të pandehur dhe dërgoi në gjyq Drejtoreshën e Spitalit Memorial të Fierit, Rudina Degjonin nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria arriti në këtë konkluzion pasi përfundoi hetimet për Degjonin, e cila në kundërshtim me ligjin ka lejuar të kryhen procedurat e botoksit të stomakut te pacientët, por me preparate mjekësore që nuk janë blerë nga spitali.
Preparatet e botoskit të stomakut vinin në rrugë të tjera jashtë-spitalore të lidhura me drejtoreshën, për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre. Në dosjen penale theksohet se procedura jo vetëm është jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, por mbart rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pacientëve, ndërsa dëmton interesat dhe imazhin e një institucioni shëndetësor publik si një çerdhe pazaresh.
Aferat në FSDKSH
Rudina Degjoni ka drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili konsiderohet si metastaza më agresive e korrupsionit në Shqipëri, një institucion që gati çdo vit është objekt i hetimi dhe arrestimesh masive.
Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi një skemë të frikshme korrupsioni të Rudina Degjonit dhe Ogerta Manastiurliut (ish ministre e Shëndetësisë), ku përfshihen vendime jashtë kompetencave, skemë abuzimi me rimbursimin e ilaçeve, financimin e paligjshëm të koncensioneve për shërbime të pakryera, kontroll fiktiv të depove farmaceotike, ilaçe kontrabandë dhe të skaduara etj.
Skandali u mbyll me shkarkimin e Degjonit si drejtoreshë e FSDKSH në shtator të vitit 2020 dhe emërimin në vend të saj të Elisa Berziu. Zonjës Degjoni iu besua drejtimi i Spitalit të Fierit, institucion të cilin e ka kthyer në zgafellë pazaresh, siç konfirmohet nga dosja penale e Prokurorisë Fier dhe raporte të KLSH-së.
Dy koncensione të Allajbeut dhe pagesa për Shkëlzen Berishën
Deri në vitin 2019, kompania e koncensionit të hemodializës me vlerë 84 milionë euro, Dia Vita, ishte në pronësi të kompanisë Evita, në masën 85%. Evita, të cilën Klodian Allajbeu e kishte kamufluar fillimisht në emrin e kushërirës së parë, Majlinda Fetiu, ka marrë edhe dhjetëra tendera në shëndetësi me vlerë mbi 50 milionë euro. Evita vijon të përlajë para publike. Vetë kompania Evita, me administratore të besuarën e Allajbeut, Elona Saraçi, ishte në pronësi të kompanisë Arimo, e cila u ble nga kompania fantazmë suedeze në 2019.
Arimo, me të cilën Allajbeu kontrolloi koncensionin deri në 2019, kishte si adresë Holandë, Nassaulaan 2 A, 2514 JS, Willemspark, Haaglanden. Të njëjtën adresë ka edhe një kompani tjetër Vendeka, me pronar përfitues Klodian Allajbeun. Kompanitë e Allajbeut kanë patur të njëjtën administratore me kompanitë e Janis Karathono në Holandë, që kontrollojnë koncensionin e laboratorëve me vlerë 130 milionë euro. Allajbeu qëndron jo vetëm pas komcensionit të hemodializës, por ka dyshime të forta se kontrollon edhe koncensionin e laboratorëve. Kompanitë koncensione kanë marrë miliona euro për punë të pakryera, pra me letra fiktive, skemë kjo e faktuar me disa raporte nga KLSH.
Ndërkaq, kompania Vendeka ka në pronësi kompaninë e qiradhënies dhe shitjes së ushqimeve Agromark. Kompania Agromark, me 1 punëtor, kryen transaksione në shuma të mëdha parash me kompaninë Logal shpk, me pronar Shkëlzen Berishën. Të dyja kompanitë, si Agromark, ashtu edhe Logal, rezultojnë pa aktivitet në terren, por janë aktive me transaksione parash, bazuar në librat e shitjes dhe blerjes. Në këtë skemë është e përfshirë edhe kompania e frutave të pyllit, Agromel, me pronar sërish Klodian Allajbeun.
Një degë e Agromel rezulton me adresë në Marqinet të Gërdecit, pikërisht në vendin ku Shkëlzen Berisha ka blerë disa magazina dhe prona për të ngritur fabrikën e boronicave, e cila deri më tani ‘po përpunon vetëm para’.
Për të justifikuar blerjen me vlerë 1.8 milionë euro, Shkëlzen Berisha ka marrë një kredi në dhjetor 2018, po 1.8 milionë euro, duke lënë kolateral pronat, që i kishte blerë 5 ditë para se të merrte kredinë. Vlera e pronave është dukshëm më e ulët jo vetëm se sa vlera e principalit të paktën 2.3 milionë euro, por edhe sa vetë kredia 1.8 miliinë euro pa interesa.
Ndërkaq, Shkëlzen Berisha ka punuar edhe si konsulent ligjor i kompanisë Agromel të Klodian Allajbeut. Në një rast, në vitin 2017, Shkëlzen Berisha deklaron në ILDKPKI se përmes Logal ka marrë një pagesë prej 30 milionë lekë të vjetra nga Agromel. Në vitin 2018, Agromel ka marrë një shumë prej 200 milionë lekë nga AZHBR-ja si mbështetje nga shteti për të përpunuar fruta pylli.
Mes tre kompanive, Agromel dhe Agromark të Klodian Allajbeut dhe Logal të Shkëlzen Berishës, pritet fatura për shërbime të dyshuara fiktive. Këto kompani fantazmë qarkullojnë miliona euro. Dhe si vend kanë gjetur pikërisht Gërdecin, ku Shkëlzen Berisha ngriti biznesin e vdekjes në vitin 2008, kamufluar në emër të disa biznesmenëve të besuar, dhe me zbatues ministrat e babit, Fatmir Mediun dhe Aldo Bumçin.
