Perandoria e fshehtë e FOREX në Shqipëri: Si u kthye Tirana në ‘oazin’ e parave të pista, kush është Alessandro Ungaro

Alessandro Ungaro
Alessandro Ungaro

Orgen Peci – DITA

Materiale me interes të lartë publik që prekin fusha të ndjeshme si krimi financiar, pastrimi i parave dhe mashtrimi ndërkombëtar po qarkullojnë në media. Nga Call Center në brokerim të palicencuar, skema e kamufluar e milionave po sfidon drejtësinë, duke
​zhvatur shtetas të huaj nga territor shqiptar

Vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një fenomen shqetësues që ka gërryer imazhin e saj financiar në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për lulëzimin e aktivitetit të paligjshëm të FOREX-it (këmbimet valutore dhe brokerimi në bursë).

Nën petkun e ligjshëm të kompanive “Call Center”, ky biznes është kthyer në një industri miliona euro, duke e shndërruar vendin tonë në një lloj parajse fiskale për operatorët e huaj që i fshihen taksave dhe ligjit në vendet e tyre origjinë.

Skema “Smartcom” dhe Rrjeti i Alessandro Ungaro

Në qendër të kësaj perandorie të kamufluar, sipas denoncimeve të shumta mediatike të bëra publike edhe sot, qëndron shtetasi italian Alessandro Ungaro. I mbërritur në Shqipëri në valën e zhvillimit të sektorit të telemarketingut, Ungaro themeloi në vitin 2013 kompaninë “Smartcom”.

Edhe pse në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) ky subjekt është regjistruar thjesht për shërbime “Call Center”, burimet investigative sugjerojnë se aktiviteti real i tij dhe i një rrjeti kompanish të tjera satelite të krijuara prej tij, është krejt tjetër.

Bëhet fjalë për operacione të pastra të platformave të paligjshme të investimeve, ku qarkullojnë dhjetëra milionë euro çdo vit.

Vakumi ligjor dhe dyshimet për korrupsion

Ajo që e bën më alarmante këtë situatë është dështimi ose neglizhenca e qëllimshme e institucioneve rregullatore.
​Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk ka dhënë asnjë licencë brokerimi për këto subjekte.

Ekziston një dyshim i fortë se elementë korruptivë brenda institucioneve kanë mbyllur sytë përballë regjistrimeve të dyshimta, duke lejuar që aktiviteti i mashtrimit të shtetasve të huaj (kryesisht italianë, gjermanë dhe spanjollë) të kryhet i qetë nga zyrat në mes të Tiranës.

Me faktet e zbardhura tashmë në dritë të diellit, topi i mbetet organeve ligjzbatuese si SPAK apo Prokuroria e Tiranës për të nisur një hetim të thelluar për pastrim parash dhe mashtrim kompjuterik.

​Pjesa më e madhe e këtyre zyrave përdorin operatorë shqiptarë që flasin gjuhë të huaja në mënyrë perfekte. Ata kontaktojnë qytetarë europianë (shpesh të moshuar ose pensionistë) dhe i bindin të investojnë shuma të vogla fillimisht (psh. €250) në platforma fiktive të tregtimit të aksioneve apo kriptomonedhave.

Pasi fitojnë besimin e tyre, i shtyjnë të investojnë kursimet e jetës, përpara se t’i zhdukin paratë përmes llogarive offshore. Paratë e fituara shpesh kthehen në kriptomonedha, duke u pastruar me lehtësi.

Pasojat ndërkombëtare

Shqipëria është parajsë për këto skema sepse ka rini që flet gjuhë të huaja dhe pranon pa pendesa sociale bonuse të majme nga përqindjet e mashtrimit.

Deri vonë, ka pasur koordinim të dobët mes policisë shqiptare dhe vendeve të BE-së për krimet kibernetike. Edhe sepse brenda Policisë së Shtetit ka bashkëpunëtorë dhe përfitues.

Në vitet e fundit, agjenci si EUROJUST dhe policitë e vendeve si Gjermania, Spanja dhe Italia kanë ndërmarrë disa operacione të mëdha në Shqipëri, siç ishte rasti i operacioneve të bujshme ku u bastisën dhjetëra Call Center-a në Tiranë dhe Elbasan.

Por pavarësisht goditjeve, kokat e vjetra si rasti i Ungaro-s vazhdojnë të operojnë nën hije.

Lajm në përditësim

Të ngjashme