Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë në Manastir, Maqedoni e Veriut.
Rama vizitoi Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Gjatë vizitës, Rama vlerësoi rëndësinë historike të këtij Kongresi, i cili shënoi një moment vendimtar për njësimin e alfabetit shqip, duke kontribuar në bashkimin kombëtar, zhvillimin e arsimit dhe ruajtjen e identitetit e kulturës shqiptare.
Kryeministri Rama u ndal edhe në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, në Manastir, e cila shënon 100-vjetorin e hapjes së saj.
Gjithashtu Rama zhvilloi edhe një takim me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve, ku diskutoi për arsimin, identitetin kulturor, bashkëpunimin rinor dhe të ardhmen e përbashkët europiane.
“Gjuha shqipe, si elementi themelor që bashkon shqiptarët dhe përbën një shtyllë të identitetit të tyre, është ruajtur ndër shekuj falë sakrificave të jashtëzakonshme”, tha Rama.
Kryeministri Rama shprehu vlerësim edhe për punën e mësuesve të diasporës, të cilët, krahas angazhimeve të tyre të përditshme për familjet, vijojnë të kontribuojnë për mësimin e gjuhës amtare te fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e përurimit të sistemit “One Stop Shop”, i cili do të përshpejtojë lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve të transportit mes dy vendeve.
