Shqipëria dhe Bashkimi Europian: PE ngre shqetësime për pushtetin, administratën dhe drejtësinë

Shqipëria dhe Bashkimi Europian: PE ngre shqetësime për pushtetin, administratën dhe drejtësinë

Parlamenti Europian ka ngritur shqetësime për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Evidentohen problematika që lidhen me përqendrimin e pushtetit, politizimin e administratës publike dhe sfidat në sistemin e drejtësisë. Në një studim analitik për rrugën e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt integrimit europian, institucioni vlerëson progresin në negociata.

Por thekson se mbeten problematika në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në pavarësinë e institucioneve dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës. Shqipëria dhe Bashkimi Europian vlerësohen për ritmin e avancimit në procesin e negociatave dhe për angazhimin politik për integrimin europian.

Megjithatë, objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 kërkon rezultate konkrete në zbatimin e reformave, jo vetëm avancim në procesin teknik. Të dhënat e studimit tregojnë se, pas hapjes së negociatave në korrik 2022, vendi arriti të hapë të gjashtë grupkapitut gjatë viteve 2024-2025.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte përmbushja e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, “Themeloret”, në maj 2026. Në korrik të këtij viti u shënua mbyllja provizore e tre kapitujve të parë. ## Reforma në drejtësi dhe SPAK-u Reforma në drejtësi e vitit 2016 dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë konsiderohen ndër zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.

Në veçanti, studimi vlerëson pavarësinë institucionale të SPAK-ut dhe punën e tij në hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe personave të ekspozuar politikisht. Megjithatë, Parlamenti Europian nënvizon se rezultatet e arritura duhet të konsolidohen, veçanërisht përmes vendimeve përfundimtare të dënimit në çështjet e profilit të lartë.

Shqetësime mbeten gjithashtu ndikimi i mundshëm politik mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal. ## Polarizimi politik dhe administrata Një tjetër problematikë e evidentuar në dokument lidhet me funksionimin e demokracisë dhe marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës.

Studimi ndalet te polarizimi i fortë politik dhe përqendrimi i pushtetit rreth ekzekutivit, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale. Në analizë përmenden edhe shqetësimet për pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias. Sa i përket administratës publike, Parlamenti Europian evidenton politizimin e strukturave shtetërore, mungesën e kapaciteteve, largimet dhe qarkullimin e lartë të punonjësve, si dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritokracisë.

Sipas dokumentit, nevojitet përmirësimi i procedurave të rekrutimit, kufizimi i ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta dhe forcimi i koordinimit institucional. ## “Revolucioni i Flamingove” Vëmendje të veçantë në studim marrin edhe protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë verës së vitit 2026, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Sipas analizës, tubimet nisën si reagim ndaj një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, ku kundërshtimet lidhen me mungesën e transparencës, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës shtetërore. Por protesta mori më pas përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një reagim ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kërkesave për respektimin e parimeve demokratike.

Dokumenti e përshkruan këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në peizazhin politik dhe qytetar të Shqipërisë. E lidh me shqetësimet për përqendrimin e pushtetit politik rreth kryeministrit Edi Rama. ## Politika e jashtme dhe ekonomia Në aspektin e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Anëtarësimi në NATO dhe orientimi euroatlantik konsiderohen gjithashtu avantazhe për pozicionin e vendit në raport me Unionin. Një tjetër element pozitiv është mbështetja e lartë e qytetarëve për anëtarësimin në BE. Sipas të dhënave të Balkan Barometer të cituara në studim, ajo vijon të jetë mbi 80-90 për qind.

Në planin ekonomik, analiza evidenton pjesëmarrjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas shifrave të paraqitura në dokument, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara. Ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga fondi potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.

Të ngjashme