Ujësjellës-Kanalizime në Durrës është kthyer si Hipoteka e Vlorës, për shkak të fuqisë ndikuese të grupeve kriminale, aferat me tendera, skemat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Disa ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka prezantoi Albi Likën si administratorin e ri të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës. Lika është bashkëpronar i kompanisë ELECTRICAL & IT SOLUTION me nipt L72122505V, me objekt shërbime, projektime, kolaudime, mbikqyrje, instalime elektrike dhe elektroenergjitike.

(Albi Lika)
Kompania rezulton se ka përfituar gjashtë tendera publikë, kryesisht në Portin e Durrësit. Ka gjasa që Lika të shfrytëzojë postin e drejtorit për të fryrë llogaritë e kompanisë së tij me para publike, përmes nënkontraktimit nga kompanitë që do t’u japë tendera, ashtu siç bëri ish drejtori Spartak Kovaçi, i cili i orientoi paratë drejt kompanisë së tij Adriatik shpk në emër të babait, Petrit Kovaçi. Ndërkaq, Lika zënëvëndësoi në këtë detyrë Migen Dukën, i cili qëndroi në detyrë përreth 2 muaj.

(Migen Duka)
Më herët, drejtor i Ujësjellësit të Durrësit ishte Olsen Kavalli, i lakuar për tendera të dyshimtë. Kavallin e hoqën për tendera të dyshimtë dhe provokimin e falimentimit të ujësjellësit. Disa sinjalizime theksojnë se Kaballi diktoi të besuarin e tij, Migen Dukën në krye të ujësjellësit, për të vijuar punët dhe finalizuar disa afera të dyshuara.

(Sedi Çaushi)
Para Kavallit, administrator i ujësjellësit ishte Aranit Gelaj dhe para tij ishte Sedi Çaushi. Para Çaushit ka qenë sërish administrator Olsen Kavalli, ndërsa para këtij ka qenë Gerald Dautaj, më parë ka qenë sërish Sedi Çaushi dhe para tij Spartak Kovaçi, i cili ka bërë kërdinë me tenderat e ujësjellësit me një rreth klientësh, ortakë me babanë e tij Petrit Kovaçi.

(Spartak Kovaçi)
Këto personazhe janë pjesë e të njëjtit grup interesash, çka kofirmohet edhe nga disa vendime të para të administratorit të ri të ujësjellësit, Albi Lika. Ky i fundit ka firmosur emërimin e Tonin Dodës drejtor Departamenti Kategosia 1 nga drejtor i Drejtorisë së Grumbullimit të Ujërave të Ndotur. Sipas një sinjalizimi, Doda mbante njëkohësisht dy funksione drejtuese, atë të drejtorit të mirëmbajtjes dhe drejtorit të kanalizimeve, ndërsa deri pak javë më parë, mbante edhe funksionin e kryeinxhinierit.

Tonin Doda është arrestuar në vitin 2015 për afera me tendera. Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën “arrest me burg” ndaj Dodës dhe ish-drejtorit teknik Franc Stajka, pas kërkesës së Prokurorisë. Ata dyshoheshin për “shpërdorim detyre”, pasi, sipas akuzës së atëhershme, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kishin paracaktuar fituesin e disa procedurave të prokurimit që lidhej me furnizimin me ujë dhe rikonstruksionin e rrjetit në zonat Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, Shkozet dhe Sukth.

(Tonin Doda)
Por e shkuara problematike e Dodës nuk e ka penguar Albi Likën për ta emëruar drejtor departamenti. Që në ditët e para si administrator i Ujësjellësit të Durrësit, Albi Lika ka bërë edhe një goditje tjetër. Ka emëruar Olsen Kavallin drejtor Departamenti Kategoria I. Kavalli ka qënë administrator dhe drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit.

Kavalli hapi një tender 300 mijë euro për t’i bërë rrjetin e ujit dhe kanalet e ujërave të zeza Marinës së Durrësit, e biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Grupi i çunave të ujësjellësit të Durrësit janë pjesë e një karteli interesash, kanë aplikuar disa skema 5D, përmes kompanive në emrin e tyre dhe kryesisht në emër të prestanomeve. Vijon…
