SPAK kërkon 302 vite burg për 15 të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë”

SPAK kërkon 302 vite burg për 15 të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë”

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për 15 të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë”, duke kërkuar në total 302 vite burgim. Sipas pretencës, dënimet më të larta, nga 35 vite burg, janë kërkuar për Henrik Hoxhën dhe Petrit Qolin. Për Nuredin Dumanin, bashkëpunëtor i drejtësisë, SPAK ka kërkuar 10 vite burg, ndërsa për dy të penduarit e tjerë, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase, janë kërkuar përkatësisht 15 dhe 13 vite burg.

Për Besian Xhixhën, Enver Divën dhe Altin Ndocin janë kërkuar nga 25 vite burg. Për Asllan Plakun, Agron Doçin, Fatos Gosën dhe Xhulian Hoxhën, SPAK ka kërkuar nga 20 vite burg, ndërsa për Ardian Uzunin dhe Albert Pashajn nga 15 vite burg. Pretenca më e ulët është dhënë për Gentian Sharrën, për të cilin Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 9 vite burg.

Të pandehurit akuzohen për vrasje me paramendim dhe vrasje në rrethana cilësuese, sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve, korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dosja përfshin disa nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit, mes tyre vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, në prill të vitit 2020, vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan, si dhe ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në Durrës.

Një tjetër episod i rëndë është vrasja e Andi Zylyfit në Peqin, si dhe atentate dhe tentativa të tjera për eliminimin e personave të konsideruar si kundërshtarë nga grupet kriminale. Në dosje përfshihen gjithashtu dyshimet për vrasjen e Ervis Dedjas dhe nënës së tij, Fatmira Dedja, si dhe planet për eliminimin e personave të tjerë, mes tyre Indrit Dokle dhe Elton Kila.

Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua në maj të vitit 2022, pas një hetimi të gjatë të SPAK, i cili çoi në goditjen e disa grupeve kriminale që dyshohej se vepronin në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Hetimi mori një zhvillim të rëndësishëm pas arrestimit të Nuredin Dumanit në prill të vitit 2022, në zonën e Paprit në Elbasan.

Pas arrestimit, ai vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe rrëfeu një sërë ngjarjesh kriminale, duke treguar për porosi vrasjesh, pagesa dhe persona që, sipas tij, ishin të përfshirë në organizimin e atentateve. Në hetim u përdorën edhe komunikimet e zbardhura në platformën e enkriptuar Sky ECC, përmes të cilave SPAK pretendon se dokumentoi lidhjet mes personave të dyshuar dhe organizimin e krimeve.

Për këto episode, SPAK ka paraqitur prova dhe dëshmi që sipas Prokurorisë lidhin të pandehurit me veprimtarinë kriminale. Tashmë pritet vijimi i procesit gjyqësor, ku gjykata do të shqyrtojë kërkesat e Prokurorisë së Posaçme dhe më pas do të japë vendimin përfundimtar për të pandehurit.

Të ngjashme