Investigim: Rrjetet shqiptare të kokainës në Britani dhe si po depërtojnë paratë e drogës në ekonominë shqiptare

Investigim: Rrjetet shqiptare të kokainës në Britani dhe si po depërtojnë paratë e drogës në ekonominë shqiptare

Një investigim i botuar nga gazeta britanike UnHerd trajton fuqizimin e rrjeteve kriminale shqiptare dhe përfshirjen e tyre në tregtinë ndërkombëtare të kokainës, veçanërisht në Britani. Sipas artikullit, zgjerimi i këtyre rrjeteve nisi pas rënies së komunizmit në vitin 1992. Ai u përshpejtua nga kriza e skemave piramidale të vitit 1997 dhe emigracioni masiv që pasoi.

Fillimisht, grupet shqiptare u përfshinë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe në kultivimin e kanabisit. Më pas ato zgjeronin aktivitetin drejt kokainës dhe krijuan lidhje me organizata ndërkombëtare, veçanërisht me mafian italiane 'Ndrangheta, sipas UnHerd-it. Gazeta thekson se nuk ekziston një organizatë e vetme e centralizuar e quajtur “mafia shqiptare”.

Ajo përshkruan një rrjet grupesh të vogla, të organizuara kryesisht mbi lidhje familjare dhe besnikëri. Kjo strukturë e fragmentuar, sipas investigimit, e ka bërë të vështirë për autoritetet identifikimin dhe goditjen e një qendre të vetme të rrjetit. Një pjesë e investigimit trajton aktivitetin e vëllezërve Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të akuzuar për organizimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Sipas të dhënave të përmendura nga UnHerd, hetimet i lidhin ata me pesë tonë kokainë të sekuestruar brenda tetë muajve dhe me një aktivitet të dyshuar me vlerë 335 milionë paund. Gazeta nuk jep detaje të mëtejshme mbi statusin gjyqësor të vëllezërve. Investigimi ndalet edhe te ndikimi i parave të drogës në ekonominë shqiptare.

Sipas UnHerd, fitimet nga trafiku i kokainës po investohen në pasuri të paluajtshme, hotele, turizëm dhe biznese të tjera. Kjo ndikon në rritjen e çmimeve të banesave, në forcimin e lekut dhe në dobësimin e konkurrueshmërisë së sektorëve eksportues, si bujqësia dhe industria e veshjeve.

Artikulli përshkruan kontrastin mes varfërisë së përgjithshme të vendit dhe pasurisë së dukshme në zonën e Bllokut në Tiranë. Aty Rolls Royce dhe Bentley me çmim 250 mijë euro secila shfaqen jashtë bareve dhe kafeneve. Sipas gazetës, kur këta shqiptarë të mbuluar me tatuazhe dalin nga makinat, shpesh dëgjohen duke dhënë urdhra në iPhone-t e tyre me thekse të Londrës Veriore ose Mançuniane.

Për ata që e njohin ekonominë e nëndheshme europiane, shkruan UnHerd, këto thekse angleze nuk janë të habitshme. Bandat shqiptare janë të pranishme në të gjithë tregun britanik të kokainës, që vlerësohet në 11 miliardë paund, nga importi në sasi të mëdha deri te shpërndarja në rrugë, sipas investigimit.

Në fillim të këtij viti, dy shqiptarë u dënuan me burg pasi organizuan kontrabandimin e më shumë se 500 kilogramëve kokainë nga Meksika drejt aeroportit të Mançesterit, me vlerë të përllogaritur në 40 milionë dollarë në tregun e rrugës. Vetëm gjatë javëve të fundit, shpërndarës shqiptarë janë burgosur për shitjen e kokainës në rrugë në qytete dhe zona të largëta si Ipswich dhe Aberystwyth.

Në shtator, një shqiptar u dënua pasi u kap duke udhëtuar në autostradën M20 në Kent me kokainë me vlerë 2 milionë paund, të fshehur në qese të Lidl-it. Kjo veprimtari po sjell edhe pasoja të rënda për përdoruesit. Javën e kaluar, Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) njoftoi se kokaina është bërë shkaku kryesor i vdekjeve nga droga në Angli dhe Uells.

Sipas ONS, numri i mbidozave fatale të lidhura me këtë substancë është katërfishuar brenda një dekade. Përveç kokainës, shqiptarët dominojnë edhe tregtinë e paligjshme të kanabisit në Britani, e cila furnizon një industri vendase të marijuanës me vlerë 2,5 miliardë paund, sipas UnHerd.

Ky ndryshim në botën e trafikut të drogës ndodhi jashtëzakonisht shpejt. Vetëm dhjetë vjet më parë, policia dhe gazetarët sapo kishin filluar të paralajmëronin për ndikimin në rritje të bandave shqiptare në tregun e kokainës në Britani. Në atë kohë përflitej se mafiozët shqiptarë ishin furnizuesit kryesorë të kokainës për klubin Groucho në Soho, ku dhoma e bilardos në katin e sipër ishte pagëzuar me nofkën “Departamenti i furnizimit peruan”.

Disa rrugë më tutje, në klubin e natës Cirque Le Soir, thuhej se një shpërndarës shqiptar shiste kokainë në prani të Frank “Sherifi i Soho-s” Partridge, zyrtarit të korruptuar të policisë Metropolitane përgjegjës për licencimin e lokaleve të natës në West End, deri në arrestimin e tij në vitin 2015.

Investigimi shtron pyetjen se si arritën shqiptarët të depërtojnë kaq fuqishëm në këtë treg, në një vend të njohur si për bandat e tij të dhunshme vendase, ashtu edhe për grupet e huaja kriminale të konsoliduara prej kohësh, si turqit e Londrës Veriore dhe klani Kinahan nga Dublini.

Përgjigjja, sipas UnHerd, duhet kërkuar te rrëzimi i regjimit marksist-leninist në Shqipëri në vitin 1992. Fatjona Mejdini, drejtuese e njësisë për Europën Juglindore në organizatën Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC), citohet të ketë thënë se para rënies së regjimit komunist krimi i organizuar nuk ishte një koncept që njerëzit në Shqipëri e njihnin mirë.

“Brenda natës, ata u gjendën përballë një sistemi kapitalist që nuk e kuptonin. Për disa, krimi i organizuar u kthye në një mënyrë për të mbijetuar”, citohet ajo. Në vitin 1997, vijon investigimi, ekonomia tashmë e brishtë e Shqipërisë pësoi një goditje shkatërruese pas kolapsit të një prej skemave piramidale më të mëdha në histori, ku rreth dy të tretat e shqiptarëve humbën kursimet e tyre të jetës.

Në këto kushte, bashkë me luftën e Kosovës në vitin 1999, dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë u nisën drejt Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë. Për disa prej tyre krimi u kthye në një mundësi fitimprurëse. Gangsterët shqiptarë nisën të njiheshin si tutorë dhe trafikantë të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual në zonat më famëkeqe të kryeqyteteve europiane.

Nga fundi i viteve 1990, bandat shqiptare dhe kosovare, të njohura për dhunën e tyre, u morën bandave malteze dhe atyre të East End-it kontrollin e tregut të prostitucionit në Soho, me vlerë 40 milionë paund. Në vitin 2001, një raport i Ministrisë së Brendshme britanike konstatonte se ato zotëronin 70 për qind të saunave dhe salloneve të masazhit në këtë zonë.

Paralelisht me trafikun e qenieve njerëzore, sipas UnHerd, u zhvillua edhe tregtia e drogës. Pas rënies së komunizmit, në Shqipëri u ngritën plantacione të mëdha kanabisi, ndërsa prodhimi shqiptar filloi të konkurronte me çmime më të ulëta atë të Holandës dhe Marokut. Në fillim, kanabisi transportohej me rrugë tokësore përtej kufirit jugor drejt Greqisë dhe më pas me anije drejt Italisë, e cila ndodhet vetëm 45 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos, ndërsa mafiat italiane përfitonin pjesën e tyre.

Të ngjashme