5 mijë gjoba dhe 40 persona të arrestuar dhe proceduar në Tiranë brenda një jave, Policia Rrugore intensifikon kontrollet

Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet në të gjitha akset e kryeqytetit, me fokus të veçantë rrugët hyrëse dhe dalëse, për të evidentuar shkeljet që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës dhe shkaktojnë rëndim të trafikut.

Bilanci i javës së kaluar është 40 persona të arrestuar ose proceduar penalisht, 5134 masa administrative dhe 49 automjete të bllokuara, të cilat janë transportuar me karrotrec.

Sipas Policisë, në pranga apo nën procedim kanë përfunduar drejtues mjetesh që janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, si dhe persona që janë larguar nga vendi i aksidentit.

Shifra më e lartë e gjobave lidhet me parkimin dhe qëndrimin e gabuar të automjeteve. Konkretisht, 4418 drejtues janë ndëshkuar për ndalim, pushim apo qëndrim të gabuar.

Ndërkohë, 268 drejtues motomjetesh janë gjobitur për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 149 persona për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 130 të tjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Në listën e shkeljeve të konstatuara janë edhe pozicionimi i gabuar në korsi, për të cilin janë ndëshkuar 123 drejtues, si dhe drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit, me 36 masa administrative.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e celularit dhe alkoolit në timon, si dhe të përdorin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Të ngjashme