AMP përfundon hetimet në Gramsh me metoda speciale, dy të arrestuar dhe një në kërkim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka finalizuar veprimet hetimore në kuadër të një procedimi penal për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve në qytetin e Gramshit, ku janë sekuestruar mbi 560 gramë kokainë dhe 150 gramë kanabis.

Sipas njoftimit të AMP-së, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e disa shtetasve, në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë gjetur dhe sekuestruar 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 150 gramë Cannabis Sativa dhe 0.62 gramë të tjera kokainë.

Në vijim të operacionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, T.H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç. Sipas AMP-së, të dy kishin më parë masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.

Gjithashtu, në zbatim të urdhrit të Prokurorit, u ndalua shtetasi E.S., 46 vjeç, ndërsa një tjetër shtetas, A.J., 31 vjeç, u shpall në kërkim.
Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së mundshme të punonjësve të Policisë në këtë veprimtari.

AMP thekson se hetimet do të vijojnë pa kompromis ndaj çdo rasti të paligjshmërisë dhe se çdo punonjës policie i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme do të përballet me përgjegjësinë ligjore, pavarësisht funksionit që ushtron.

Të ngjashme