ë prill të vitit 2024, Klevis Balliu, çuni i Fahri Belliut, u shfaq me një makinë luksoze para SPAK-ut. Balliu dhe disa militantë të PD-së u ‘përplasën’ asokohe me kryebashkiakun Erion Veliaj në hyrje të SPAK. Ata e cilësuan kryebashkiakun ‘hajdut’, ndërsa Veliaj u përgjigj duke i thënë Balliut: “Thuaj Fahriut me 100 mijë euro makinë”.

Veliaj i referohej makinës me të cilën Klevis Balliu kishte shkuar në SPAK. Siç dukej nga kjo foto, Klevis Balliu e kishte parkuar makinën Benz Mercedes S Class, e cila kushton disa mijëra euro. Në prill të 2025, Klevis Balliu, të cilin ish zv/kryeministërja Belinda Balluku e quajti ‘bukurosh’, u shfaq sërisht me makinën Benz Mercedes S Class.

Krahas makinës luksoze, Klevis Balliu posedon edhe një shtëpi luksoze në Tiranë, në zonën e quajtur Kodra e Diellit. Është shtëpia ku jeton prej disa vitesh dhe aktualisht deputeti i PD-së. Nuk dihet se në emrin e kujt figuron shtëpia, por kjo pasuri është pikërisht e Klevis Balliut. Pas zgjedhjes deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025, Klevis Balliu plotësoi dhe dorëzoi pranë ILDKPKI deklaratën fillestare dhe të plotë të pasurisë.
Në deklaratën e pasurisë që mban firmën e Balliut nuk figuron askund e deklaruar shtëpia që posedon Klevis Balliu. Në deklaratën e pasurisë banesa nuk figuron as me qira. Në deklaratë nuk figuron as makina tip Benz Mercedes S Class. Balliu madje nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme.

E gjithë pasuria e deklaruar në emrin e tij në shtator 2025 është rreth 4 mijë euro cash. Përpos makinës, Klevis Balliu dyshohet se posedon edhe disa pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i ka deklaruar në ILDKPKI. Makina luksoze, me të cilën shfaqet çuni i Fahriut nuk figuron as në deklaratën e pasurisë së bashkëshortes së tij Florela Hametaj, aksionere në kopshtin e fëmijëve Maple Bear Tirana dhe biznesin e lodrave për fëmijë LILLYPOP.
Zonja Hametaj, si pasuri të paluajtshme deklaron vetëm dy garazhe. Shtëpia në të cilën banon deputeti i PD-së Klevis Balliu nuk figuron në asnjë faqe të deklaratë së pasurisë. Në deklaratë nuk figuron as pagesë qiraje, duke ngritur dyshime të forta për fshehje pasurie.
