Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme për forcimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes civile, duke krijuar rrjetin e parë me 100 vullnetarë nga Illyrian Guard, të cilët do të angazhohen në përballimin e situatave emergjente në të gjithë vendin.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe drejtuesi i Illyrian Guard, Florenc Spaho, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj nisme si një model bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat.
Deri më tani janë trajnuar dhe certifikuar 50 vullnetarët e parë, ndërsa 50 të tjerë po vijojnë programin e trajnimit. Qëllimi është rritja e kapaciteteve për reagim të shpejtë në raste zjarresh, fatkeqësish natyrore dhe emergjencash të tjera civile.
Gjatë aktivitetit u theksua se asnjë sistem, sado i mirëorganizuar, nuk mund t’i përballojë i vetëm situatat emergjente, veçanërisht zjarret masive. Për këtë arsye, përfshirja e vullnetarëve të trajnuar dhe bashkëpunimi mes institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve konsiderohen elementë kyç për një mbrojtje civile më të fortë dhe më efikase.
Nisma u vlerësua si një hap konkret drejt ndërtimit të një rrjeti të qëndrueshëm vullnetarësh, sipas standardeve të vendeve më të përparuara evropiane, duke forcuar gatishmërinë e Shqipërisë për t’u përballur me çdo situatë emergjente.


