Bekim Bulica, me një të kaluar kriminale, ku përfshihen akuza dhe hetime për trafik droge në Paris, tentativë vrasjeje, kanosje, armëmbajtje pa leje, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe pastrim parash, është shpallur në kërkim nga policia për moskallëzim krimi për vrasjen e Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçarit me shtetësi portugeze, në klubin luksoz të Bulicës në Ksamil, “Principotes”, klub që dyshohet se është ngritur pa leje, në pronë të grabitur dhe me para të pista. Për vrasjen e Mendes dyshohet Sokrat Lipan allias Sokrat Vata, punonjës në klubin e Bulicës.

Bekim Bulica, në 19 shtator të vitit 2019, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Fehmi Cengu, i cili ndodhej në makinën e tij. Çfarë ka ndodhur? Fillimisht, Bulica dyshohet se ka blerë viktimën e veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë, pasi Fehmi Cengu ka tërhequr kallëzimin ndaj Bulicës dhe duke zbutur vresionin e ngjarjes së rëndë, për të lehtësuar pozitat e Bulicës. Me këtë lëvizje, Bulica dyshohet se ka blerë prokurorin e çështjes, Edmond Kariqi, i cili edhe pse vepra penale ishte e provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, i ka hequr Bulicës veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Prokurori Edmond Kariqi, i arrestuar nga SPAK në qershor të vitit 2021 për korrupsion, ka hetuar fillimisht Bulicën për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, kur vepra penale e provuar ishte vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Më tej, prokurori i ka hequr edhe veprën penale të kanosjes, duke faktorizuar Bulicën.

Gjyqtari Florin Demollari, në mars 2021, ka dënuar Bekim Bulicën me 4 vite burg për veprën penale armëmbajtje pa leje. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur në 2.8 vite burg. Më tej, gjyqtari Tonin Sterkaj, i cili më pas u shkarkua nga Vetingu si i korruptuar, i ka zëvëndësuar masën e dënimit me burg Bekim Bulicës me shërbim prove, duke e liruar nga burgu. Sterkaj u shkarkua nga Vetingu për pasurinë dhe cënimin e besimit të publikut në drejtësi në nëntor 2024.

(Ish gjyqyari Tonin Sterkaj)

(Fehmi Cengu)
Bulica u arrestua në Francë dhe u ekstradua në Shqipëri në shkurt 2021, ku bëri vetëm disa muaj burg për atentatin ndaj Fehmi Cengut. Në gusht 2021, pasi u ekstradua nga Franca, Bulica u hetua nga prokuroria pasi dyshohet se ishte përfshirë në planin e bosit të kokainës Arbër Çekajt për arratisjen nga burgu ‘313’ në Tiranë. Nuk dihet çfarë ndodhi me këtë procedim. Por, pas disa muajsh Bulica ishte i lirë, ndërsa prokurori Edmond Kariqi, që kishte dosjen e tij, tashmë ishte në burg për korrupsion.

(Edmond Kariqi)
Në 2 shtator 2023, Bekim Bulica u shpall në kërkim për rrahjen e efektivit të policisë në Tiranë Ervin Fanaj dhe vëllait të tij. Policia vuri në pranga shtetasin Blerim Bulica, 29 vjeç, banues në Tiranë, si dhe shpalli në kërkim edhe shtetasit Besart Bulica, 35 vjeç, Shaban Bulica, 25 vjeç dhe Benard Aliaj, 34 vjeç. Edhe për këtë ngjarje Bulica nuk bëri asnjë ditë burg.
Policia, ‘Pastrimi i Parave’ dhe SPAK nuk veprojnë për hetimin e pasurisë
Bekim Bulica ka ngritur një klub luksoz në Ksamil, Principotes, një investim me vlerë qindra mijëra euro, kamufluar me një kompani me kapital 100 lekë. Sipas një kallëzimi penal, Principotes është ndërtuar pa leje dhe mbi tokë private të zaptuar. Nga ana tjetër, Bulica është skeduar në Francë për aktivitet kriminal, kryeisht në shpërndarje droge, duke e bërë atë subjekt të ligjit anti-mafia.
Këto fakte dhe rrethana veshin me përgjegjësi strukturat e policisë, Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Prokurorinë dhe SPAK-un, organe të cilat nuk kanë vepruar duke mos nisur një hetim pasuror ndaj këtij subjekti, mbi burimin e parave të investimit, dyshimet për pastrim parash etj. Mosveprimi i organeve ligjzbatuese shqiptare ka kontribuar në kriminalizimin e turizimit në Ksamil, duke sjellë edhe ngjarje të tilla të rënda, siç ishte vrasje e turistit portugez.
