Emrat/ Mafia e protezave te Spitali Ushtarak, skema e korrupsionit me operacionet, si ndahen paratë që u ‘rrjepin’ pacientëve

Emrat / Mafia e protezave te Spitali Ushtarak, skema e korrupsionit me operacionet dhe pajisjet ortopedike, farmacitë e lidhura dhe si ndahen paratë që u ‘rrjepin’ pacientëve. I përfshirë edhe një trafikant kokaine. A do veprojë SPAK-u?
Emrat / Mafia e protezave te Spitali Ushtarak, skema e korrupsionit me operacionet dhe pajisjet ortopedike, farmacitë e lidhura dhe si ndahen paratë që u ‘rrjepin’ pacientëve. I përfshirë edhe një trafikant kokaine. A do veprojë SPAK-u?

Në Spitalin e Traumës, përpos aferave me tendera, pajisje pa faturë, ilaçeve të skaduara etj., vepron prej vitesh një grup me natyrë kriminale, i cili përdor spitalin publik si biznes privat, për përfitime personale/familjare, skemë korrupsioni dhe si mekanizëm për zhvatjen e pacientëve. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin ‘grupi i protezave’, i përbërë nga mjekë pranë Spitalit Ushtarak, drejtues të spitalit, pronarë farmacie dhe biznesmenë që kanë monopolin e pajisjeve ortopedike. Paratë e përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme pastrohen duke i investuar në pasuri të paluajtshme.

Si funksionon skema kriminale me operacionet për vendosjen e protezave në gjymtyrët e dëmtuara të pacientëve?

Pacienti paraqitet në Spitalin Ushtarak, kontakton njërin nga anëtarët e grupit kriminal me bluzë të bardhë dhe planifikon operacionin. Fillimisht, doktori, sidomos Vilson Ruçi, tenton t’a bindë pacientin që operacionin t’a kryejë tek klinika e tij private, e quajtur Spitali LifePlus, pranë Spitalit Ushtarak, me bashkëpronare në letra gruaja e tij, Dorina Ruçi.

(Vilson dhe Dorina Ruçi)

Me një pasuri miliona euro, Ruçi e përdor Spitalin Ushtarak për të ‘peshkuar’ pacientë, për t’i çuar dhe ‘rrjepur’ te spitali i tij privat, të cilin ia bleu rrufjanit të pandemisë Pëllumb Pipero. Klinika e kthyer në spital, një investim qindra mijëra euro, dyshohet se është produkt i skemave korruptive dhe mashtruese.

(Vilson Ruçi)

Nëse pacienti këmbëngul që operacionin t’a realizojë në Spitalin e Traumës, grupi kriminal nis zbatimin e planit B, i cili konsiston sërisht në zhvatjen e pacientit, edhe pse ka paguar për vite me radhë sigurime shëndetësore. Pacientit i thuhet se spitali publik nuk ofron protezat, të cilat sipas rasteve kushtojnë nga 4 deri në 5 mijë euro, plus 2 deri në 3 mijë euro për ‘shërbimin’, për të cilin grabiqarët me bluzë të bardhë paguhen një herë nga taksapaguesit shqiptarë.

(Spitali i Vilson Ruçit)

Nëse pacianti dhe familjarët e tij marrin vesh përmes njohjeve se në Spitalin Ushtarak ka proteza të prokuruara me buxhetin e ministrisë, pacientit i thuhet se duhet të futet në listën e pritjes dhe se protezat ortopedike falas nga spitali janë të një cilësie të dobët. Qëllimi është që pacienti jo vetëm të blejë protezën, por t’a blejë në farmacinë e duhur, pjesë e grupit kriminal dhe që ndan paratë me ‘rrjepësit’ me bluzë të bardhë. Mes disa farmacive, më aktive shfaqet famacia Farmavitta e Gert Peshkatarit. Ky i fundit ka një rrjet prej 30 farmacish, të cilat janë përfshirë në skema mashtrimi dhe korrupsioni.

(Gert Peshkatari)

Nëse SPAK do të ketë vullnet për të goditur këtë skemë të frikshme korrupsioni, lehtësisht do të zbulojë që pjesë e skemës është edhe Bardhyl Guçe, një profesionist në trajtimin e patologjive ortopedike, por një ‘ujk i vjetër’ korrupsioni, pasi merr 1 mijë euro për çdo operacion. Bardhyl Guçe, krahas tarifës fikse për çdo operacion në Spitalin Ushtarak, dyshohet se merr përqindje nga Gert Peshkatari për çdo pacient që dërgon për të blerë protezat në farmacitë e tij.

(Bardhyl Guçe)

Nga monitorimet, dëshmitë dhe regjistrimet, pjesë e këtij rrjeti rezulton edhe mjeku ortoped Flamur Vellku, i cili përdor Spitalin Ushtarak për të ‘peshkuar’ dhe zhvatur pacientët. Vellku u merr pacientëve deri në 1 mijë euro për operacion në Spitalin Ushtarak dhe tarifa më të ulëta për konsulta, gjithnjë nëse nuk i bind për t’i çuar në spitalet private ku punon vetë, përfshirë edhe lavatriçen e pastrimit të parave, Spitali Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.

(Flamur Vellku)

Krahas lidhjeve me disa spitale private, Flamur Vellku qëndron edhe pas klinikës private MEDICUS-ORTO, në të cilën ofron vizita, konsulta dhe mjekime të specializuara në fushën e ortopedisë. Ndërkaq, pjesë e kësaj skeme rezulton edhe mjeku ortoped Alfred Cake, i cili vite më parë doli në media duke thënë se kishte braktisur Anglinë për të punuar në Spitalin e Traumës me një rrogë disa herë më të ulët. Por, skema zhvatjes tregon se paga e këtyre kirurgëve është thjeshtë një bakshish.

(Alfred Cake)

U marrin tarifën e korrupsionit pacientëve edhe Dritan Todhe, i cili punon njëkohësisht edhe tek spitali i Klod Allajbeu si dhe dyshohet për mjekun ortoped Elton Kala. Fatos Olldashi, shef i Klinikës së Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, ka një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e mafies së protezave. Olldashi operon kryesisht në ‘gjuajtjen’ e pacientëve që paraqiten në Spitalin e Traumës, për t’i çuar dhe zhvatur në spitalin privat të Klod Allajbeut. Meqenëse vendosja e protezave prek nervat, neurokirugu ka një rol të rëndësishëm në këto operacione që kryehen në Spitalin e Traumës.

(Fatos Olldashi)

I njohur si ushtar i Allajbeut, Olldashi qëndron edhe pas Shoqatës së Neurotraumës dhe Kirurgjisë Spinale. Ndërkaq, rrjeti i farmacive të lidhura me grupin e korrupsionit në Spitalin Ushtarak furnizohet me pajisje ortopedike nga kompania ‘GRAL MEDICAL’, e cila ka vendosur pothuajse një monopol në këtë treg. Pas kompanisë Gral Medical qëndron biznesmeni Altin Driza.

Nuk dihet nëse GRAL MEDICAL ka lidhje të drejtëpërdrejtë me grupin e ‘bluzave të bardha’ apo thjeshtë u shet pajisje ortopedike farmacive, por kjo kompani është favozuar nga kjo skemë zhvatje si dhe nga sabotimi i ofrimit të pajisjeve falas nga drejtoresha e Spitalit Ushtarak, Edlira Bode, për të cilën KLSH ka kërkuar të shkarkohet nga detyra për afera të rënda korruptive. Nëse Prokuroria do të gjurmojë zhdoganimin e pajisjeve nga kompania GRAL MEDICAL dhe klientët e saj, do të zbulojë edhe një skemë mashtrimi nga famrmacitë, të cilat i shesin kryesisht pajisjet me faturë.

(Edlira Bode)

Veprimtaria korruptive e ‘grupit të protezave’ pranë Spitalit të Traumës do të ishte e pamundur pa rolin e ‘ustalleshës së korrupsionit’ Edlira Bode, e cila shpenzon paratë publike për krasitje pemësh, lule, mirëmbajtje, mobilim zyrash etj., ndërsa dyshohet se ka sabotuar shërbimin e ofrimit të pajisjeve ortopodike falas. Prej 10 vitesh, për të furnizuar Spitalin e Traumës me pajisje mjekësore për ndërhyrje ortopedike janë kontraktuar kompanitë TRIMED dhe Layo, mbështetur nga kompania Medicamenta e trafikantit Ilir Shehu, me emër të ndryshuar pas dënimit në Itali për trafik ndërkombëtar droge.

(Ilir Shehu)

Në Shqipëri, krahas pastrimit të parave të drogës në ndërtim dhe tendera, Shehu është përfshirë në skema mashtrimi me barnat. Gjatë 5 viteve të fundit, kompania Medicamenta, e vetme dhe në bashkëpunim, ka marrë rreth 40 milionë euro tendera në shëndetësi, ku së fundmi do të furnizojë Spitalin e Traumës edhe me proteza, të cilat sipas grupit të ‘bluzave të bardha’ nuk janë cilësore dhe rrezikojnë pacientët. Pas kompanisë Layo qëndron deputeti i PS-së Vasil Llajo me prestanome Ani Hasa, ndërsa pas Trimed, nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, qëndron Gentiana Peposhi Peshkatari. Vijon…

Të ngjashme