Pallati u shemb me ekskavator në 2 të natës, ndërsa sot mbi të njëjtin truall PAGA VILLAGE kërkon të ngrejë 16 kate; pas kompanisë del i biri i Genci Osmënajt, i dënuar për trafik droge në Itali dhe një nga emrat që shfaqet në betejën e vjetër për pronën te “Petro Nini”
Një truall 1085 metra katrorë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, një pallat i vjetër pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” që u shemb në orën dy të natës me ekskavator dhe, tre vjet më vonë, një kompani që kërkon të ngrejë 16 kate mbi tokë dhe katër të tjerë nën të. Kjo është përmbledhja e shpejtë e historisë së truallit në rrugën “Margarita Tutulani”, por detajet e saj janë shumë më të ndërlikuara dhe shtrihen në më shumë se tre dekada dokumente, vendime gjyqësore, kallëzime penale, protesta rrugore dhe një shembje që ndodhi në mes të natës, ndërsa banorët ishin ende brenda godinës.
Kompania që kërkon lejen e zhvillimit quhet PAGA VILLAGE dhe ajo u themelua vetëm tridhjetë e një ditë pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për prishjen e pallatit. Administrator i saj është Amarildo Osmënaj, i biri i Genci Osmënajt, një emër që del në qendër të konfliktit të pronësisë për këtë truall dhe që, në profilet e tjera të tij, shfaqet në rrethana që e kalojnë kufirin e biznesit të zakonshëm. Genci Osmënaj ka një histori të gjatë të përfshirjes në biznese ndërtimi dhe pastrim parash, rezulton i dënuar nga Gjykata e Romës për trafik droge dhe figuron në një dosje të SPAK-ut si pronar i apartamentit ku ka jetuar ish-drejtoresha e AKSHI-së, Mirlinda Karcanaj, pikërisht pranë stadiumit “Air Albania”. Gjithashtu sipas burimeve, Genci Osmënaj është person i afërt me kupolën e pushtetit.
E njëjta tokë, i njëjti konflikt pronësie, të njëjtët emër. Nga një pallat i banuar për dekada në një projekt 16-katësh. Gjithçka nisi me një vendim të vitit 1993 dhe përfundoi, të paktën deri tani, me një kërkesë në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Por rruga midis këtyre dy pikave është e mbushur me dokumente, akuza, vendime gjyqësore, masa sigurimi dhe një ekskavator që hyri në orën dy të natës.
Trualli në rrugën “Margarita Tutulani” del për herë të parë në dokumentet zyrtare më 16 gusht 1993, me dosjen nr. 373 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku prona regjistrohet me sipërfaqe 1085 metra katrorë dhe i përket Petro, Mihal dhe Pali Salepit. Vendimi nr. 936 i datës 26 tetor 1994 njeh kthimin e truallit së bashku me ndërtesën mbi të, ndërsa regjistri i Agjencisë së Trajtimit të Pronave për Qarkun Tiranë e konfirmon këtë të dhënë përmes dosjes nr. 128 të datës 10 maj 2007, ku trualli 1085 metra katrorë në zonën kadastrale 8270, me vendimin nr. 95 të datës 8 qershor 2007, përshkruhet si shtëpi trekatëshe. Kjo zonë kadastrale dhe kjo sipërfaqe janë dy shenjat që e ndjekin pronën përgjatë gjithë historisë së saj, nga dosjet e para të kthimit te konflikti me banorët, te shembja dhe te projekti i ri.
Konflikti për këtë pronë ka qenë i gjatë dhe i ashpër. Në vitin 2013, familjet që jetonin në pallat dolën në protestë dhe hynë në grevë urie pesëmbëdhjetëditore, duke kundërshtuar pretendimet mbi tokën dhe duke thënë se dokumentet ishin falsifikuar. Në atë kohë, çështja gjyqësore kishte në qendër Ferdinand Cakën, por dokumentet e mëvonshme do të sillnin në skenë edhe Genci Osmënajn, i cili do të shfaqej si një nga personat që ndërhynin në çështjen e pronësisë.

Më 27 tetor 2015, vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave depozitoi kallëzimin penal nr. 3551/5, duke dyshuar se ish-zyrtarë të Hipotekës së Tiranës, ish-anëtarë të Komisionit të Kthimit, ish-zyrtarë të strukturave të pronave dhe trashëgimtarë të subjektit të shpronësuar kishin bërë të mundur tjetërsimin e paligjshëm të truallit 1085 metra katrorë dhe të banesës trekatëshe mbi të. Shpërdorim detyre, falsifikim dhe pastrim të produkteve të veprës penale; këto ishin veprat që përmendej në njoftimin e AKKP-së, i cili tregon se vetë institucioni shtetëror që administron çështjet e pronave e konsideronte mënyrën e kalimit të kësaj prone aq problematike sa ta referonte për hetim penal.
Më 2 gusht 2021, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin nr. 106, duke shpallur prishjen e detyruar të godinës në rrugën “Margarita Tutulani” me arsyetimin se ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Banorët nuk e pranuan këtë version dhe iu drejtuan Gjykatës Administrative, e cila nuk e pranoi si përfundimtare akt-ekspertizën e kompanisë së kontraktuar nga Bashkia, administroi një ekspertizë tjetër dhe kërkoi rishqyrtimin e situatës së dëmtimeve. Mbi objektin ekzistonte gjithashtu një masë sigurimi padie, që ndalonte çdo veprim juridik deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, dhe në këtë proces Genci Osmënaj del si një nga personat që ankimuan atë masë sigurimi.
Tridhjetë e një ditë pas vendimit të Bashkisë, më 2 shtator 2021, themelohet PAGA VILLAGE, me ortakë Amarildo Osmënajn dhe Arkond Canajn, nga 50 për qind secili, dhe me Amarildon si administrator, i cili identifikohet në statut me atësinë Genci dhe datëlindjen 27 shtator 1991. Amarildo Osmënaj është i biri i Genci Osmënajt, dhe kjo lidhje familjare e vendos kompaninë e re pikërisht në qendër të konfliktit të vjetër të pronësisë, duke krijuar një vazhdimësi që nga vendimi i prishjes deri te kërkesa për leje zhvillimi tre vjet më vonë.
Më 23 dhjetor 2022, forcat e policisë nxorën familjet nga godina dhe ato nuk u kthyen më. Më 29 prill 2023, rreth orës dy të natës, një ekskavator hyri në kantier dhe pallati u shemb, ndërsa banorët kishin bërë kallëzim dhe dy persona u arrestuan nën akuzat e vetëgjyqësisë, dëmtimit të rrjetit elektrik dhe prishjes së qetësisë publike. Një nga banorët, Islam Nazja, e përshkroi atë natë duke thënë se kishin ardhur në mënyrë mafioze, se në dy të natës nuk bëhet shembja, se vinçi bënte një zhurmë të paparë dhe se brenda godinës kishte ende banorë. Esen Kalemi, një banore tjetër, theksoi se godina ishte e mbrojtur nga masa e sigurisë së Gjykatës Administrative dhe se asnjë tullë nuk mund të prekej, jo më të vihej një ekskavator në dy e gjysmë të natës për ta prishur atë.
Tre vjet pas shembjes, më 29 prill 2026, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit shqyrtoi në rendin e ditës pikën nr. 13: kërkesën e PAGA VILLAGE për leje zhvillimi për një strukturë banimi, shërbimesh dhe funksionesh të përziera, me 16 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, pikërisht në rrugën “Margarita Tutulani”; i njëjti truall, i njëjti vend ku natën punoi ekskavatori.

Profili i Genci Osmënajt e kalon kufirin e biznesit të zakonshëm. Ai ka një histori të gjatë të përfshirjes në biznese ndërtimi dhe pastrim parash, është i dënuar nga Gjykata e Romës për trafik droge me një dënim shtatëvjeçar dhe del gjithashtu në një dosje të SPAK-ut, si pronar i apartamentit ku ka jetuar ish-drejtoresha e AKSHI-së, Mirlinda Karcanaj, pranë stadiumit “Air Albania”.
Kur i vës të gjitha dokumentet krah njëri-tjetrit, del një vijë e vetme: trualli 1085 metra katrorë në ZK 8270 qëndron për dekada në konflikt, Bashkia e shpall pallatin për prishje, Genci Osmënaj del mes pretenduesve që ndërhyjnë në proces, djali i tij Amarildo krijon PAGA VILLAGE me Arkond Canajn, pallati shembet natën dhe tre vjet më vonë PAGA VILLAGE kërkon 16 kate në të njëjtën tokë.
Kjo histori ngre pyetje që kërkojnë përgjigje: çfarë dokumentesh pronësie ka depozituar PAGA VILLAGE në dosjen e saj?
kush janë pronarët që kanë firmosur marrëveshje zhvillimi?
Si është reflektuar në proces historiku kadastral dhe konflikti gjyqësor i parcelës dhe, mbi të gjitha, si mundet që një tokë e kontestuar për dekada, mbi të cilën ekzistonte një masë sigurimi, të kthehet në një projekt 16-katësh, i nisur nga i biri i një njeriu që është i dënuar për trafik droge dhe figuron në dosjet e SPAK-ut të lidhur me kupolën?
Përgjigjet qëndrojnë te dokumentet që AZHT dhe KKTU duhet t’i bëjnë publike: kartela e pronës, harta e parcelës, marrëveshjet e zhvillimit, historiku i pasurisë dhe dokumentet gjyqësore të depozituara nga PAGA VILLAGE. Vetëm këto mund të tregojnë të gjithë zinxhirin juridik me të cilin trualli 1085 metra katrorë kalon nga konflikti i vjetër te projekti i ri.
Nga një shembje e natës në një projekt 16-katësh, e njëjta tokë, i njëjti konflikt, të njëjtët emra. “Margarita Tutulani” nuk është thjesht një adresë; është dosja e një transformimi që mbetet për t’u sqaruar… /Pamfleti
