Në dhjetor të vitit 2023, GJKKO dënoi me dy vite burg biznesmenin Aqif Konesha, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, në kuadër të dosjes së ish kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. Konesha, i cili përfitoi tenderin 3 milionë euro në formë të paligjshme nga Alla, për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burg.
Aqif Konesha, ish administrator dhe aksioner në kompaninë firmës 2 AF ALBANIA GRUP, u arrestua me urdhër të SPAK-ut në mars të vitit 2023, pasi nga hetimet u provua se kishte përfituar nga Alla në formë korruptive tenderin 3 milionë euro për ujësjellësin e Bulqizës. SPAK zbuloi se Konesha dhe Alla udhëtonin bashkë, ndërsa kishin manipuluar tenderin, duke diktuar fituesin, përkatësisht kompaninë e Koneshës, duke ndarë bashkë paratë publike. Përgjimet dhe vëzhgimet nga Policia dhe SPAK datojnë nga viti 2020.

Pas arrestimit në mars 2023, Aqif Konesha, në nëntor të vitit 2023, ia dhuron aksionet e tij të afërmes, Xhuljeta Konesha. Në të njëjtën kohë, edhe aksioneri tjetër i kompanisë 2 AF ALBANIA GRUP, Munir Konesha, i dhuron 80 % të aksioneve zonjës Xhuljeta Konesha. Kjo e fundit emërohet edhe administratore e kompnisë. Bëhet fjalë për një lëvzije fiktive, ku Xhuljeta Konesha shërben si prestanome i Aqif dhe Muhir Koneshës, të cilët vijojnë pazaret me drejtorë dhe kryebashkiakë, duke përfituar tendera me pazar në tavolinë.

Rrethi familjar që fshihet pas kompanisë së tenderave korruptivë 2 AF ALBANIA GRUP operon në Durrës dhe Bulqizë. Pas goditjes nga SPAK, Konesha, vitin e kaluar, ka ndryshuar edhe emrin e kompanisë nga 2 AF ALBANIA GRUP në Amel Invest shpk. Pas këtyre manovra, Konesha ka vijuar avazin e përfitimit të tenderave të dyshimtë.

Sipas një sinjalizimi, Aqif Konesha, tashmë i kamufluar pas zonjës Xhuljeta Konesha, dyshohet se ka dorëzuar letra false duke përfituar një tender me vlerë 700 mijë euro nga Porti i Durrësit, me objekt blerje pjesë këmbimi për mekanizmat portual. Tenderi është firmosur nga drejtori i portit Liburn Aliu në dhjetë gusht 2026. Për të shpallur fituese kompaninë e dosjes së SPAK-ut, Aliu dhe njerëzit e tij në KVO kanë skualifikuar kompaninë Hydropower shpk me ofertë më të ulët.

Një nga kriteret e tenderit parashikon që operatori ekonomik duhet të paraqesë dëshmi për furnizime të mëparshme të ngjashme, të kryera gjatë tre viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës, në një vlerë jo më të vogël se 40 % e vlerës së përllogaritur të fondit të limitit të kësaj kontrate. Nga verifikimi i kontratave me entet publike gjatë tre viteve të fundit, kompania Amel Invest shpk nuk e plotëson këtë kriter. Gjatë tre viteve të fundit kompania nuk ka zbatuar asnjë kontratë të ngjashme, por kryesisht shitje materiale inerte dhe rikonstruksion ujësjellësash.

Ka dyshime të forta që kompania ka paraqitur të dhëna të rreme për të fituar tenderin dhe se tenderi është paracaktuar me pazar në tavolinë. Një muaj më parë, korrik 2026, kompania Amel Invest ka fituar një tjetër tender me vlerë 200 mijë euro nga Porti i Durrës me objekt materiale për mirembajtjen periodike për mekanizmat TK. Në tender ka marrë pjesë vetëm kompania fituese, Amel Invest.

Në janar të këtij viti, kompania Amel Invest ka fituar një tjetër tender me vlerë 100 mijë euro nga Porti i Durrësit, duke ngritur dyshime të forta për një linjë korrupsioni mes Koneshës dhe kupolës së Portit të Durrësit. Ndërkaq, babai i Aqif Allës që u arrestuar nga SPAK, Munir Konesha, qëndron edhe pas kompanisë së kromit ALB-KON shpk, përmes të cilës ka përfituar 20 tendera. Kjo kompani ka në zotërim kompaninë Muhurr Energy, e cila ka fituar kontratën koncensionare për ndërtimin e hidrocentralit Runja, në ortakëri me Bukurosh Koçin, me 7 licenca minerale, ndërtime pa leje, pallate dhe resorte.

Bukurosh Koçi, i cili rezulton pronar pronash me origjinë të dyshimtë në bregdet, është gjithashtu pronar i fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë. Përmes kompanisë së fabrikës, Koçi ka qenë më parë aksioner me 49 % në kompaninë 2 AF ALBANIA GRUP, me emër të ndryshuar Amel Invest.
