EMRAT/ SPAK dhe AMP godasin grupin kriminal për trafikimin e klandestinëve, ekzekutohen 7 masa sigurimi

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar dhe ekzekutuar masat e sigurimit personal për 7 persona, si dhe janë ushtruar 11 kontrolle në banesa dhe kontrolle personale të të dyshuarve.

Masat e sigurimit dhe të dyshuarit:

Janë ekzektuar masat e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit:

Jorgji Kuvarati,, i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Erius Hajdari, i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Arzen Bregasi, i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

M. Gj., i dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

V. N., i dyshuar për veprën penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 3 dhe 4 të Kodit Penal.

K.T., i dyshuar për veprën penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 3 dhe 4 të Kodit Penal.

Masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasen:

K. B., e dyshuar për veprat penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me qëllim fitimi, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298 paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Aktiviteti i paligjshëm i këtij grupi të strukturuar kriminal konsistonte në organizimin e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetasit e huaj, kryesisht me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme, kundrejt përfitimit të shumave të ndryshme monetare.

Këta shtetas, hynin nga territori i Republikës së Greqisë, jashtë pikave të kalimit kufitar në qarkun e Korçës dhe të Gjirokastrës, në mënyrë të organizuar dhe të drejtuar nga një person për çdo grup. Grupet përbëheshin nga 3-4 deri në 50 persona. Organizatorët, bashkë me shoqëruesin i transportonin deri në kufirin verior të Shqipërisë, në qarkun e Shkodrës, ku priteshin nga persona të tjerë, edhe ata të përfshirë në këtë aktivitet.

Deri në këtë fazë të hetimit, dyshohet se shtetasit e mësipërm kanë qenë të përfshirë në veprime aktive për transportimin dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit, në episodet e mëposhtme.

Episodet e dokumentuara nga hetimi:

1 Maj 2024: Transportimi i 3 shtetasve të huaj nga Mëzezi (Tiranë) drejt Hanit të Hotit.

13 – 14 Maj 2024: Transportimi i 21 emigrantëve nga Gjirokastra (fshati Mashkullorë) drejt Vukpalajt në Malësinë e Madhe.

19 – 21 Qershor 2024: Transportimi i 11 emigrantëve nga fshati Dardhë i Korçës drejt Hanit të Hotit.

28 Qershor 2024: Transportimi i 17 shtetasve të huaj nga Dardha (Korçë) drejt Vukpalajt.

7 Korrik 2024: Tentativë për transportin e 4 emigrantëve nga Korça, ku shoferi u arrestua në flagrancë nga Policia e Korçës dhe Maliqit.

8 – 9 Korrik 2024: Transportimi i 12 emigrantëve nga Jorgucati (Gjirokastër) drejt Malësisë së Madhe. Në këtë episod janë përfshirë dy punonjësit e Policisë Kufitare Shkodër, të cilët lehtësuan kalimin e tyre drejt Malit të Zi.

23 – 24 Korrik 2024: Transportimi i 11 emigrantëve nga Bilishti drejt Tiranës e më pas në Shkodër. Pasi kaluan në Malin e Zi, emigrantët u morën peng nga 5 persona me origjinë nga Lindja e Mesme. Në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, u bë e mundur lirimi i pengjeve dhe arrestimi i tre prej pengmarrësve.

SPAK njofton se hetimet po vijojnë me intensitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Të ngjashme