SPAK godet edhe vëllezërit Koçeku: Akuza për trafik droge e pastrim parash

Abedin dhe Luçiano Koçeku
Abedin dhe Luçiano Koçeku

SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte në zonën e Kamzës, i përfshirë në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Sipas hetimeve, në krye të këtij grupi dyshohet se qëndrojnë vëllezërit Abedin dhe Luçiano Koçeku.

Emri i Luçiano Koçekut është përmendur edhe më herët, pasi në gusht të vitit 2024 ai u përfshi në një incident dhune në një resort luksoz në Palasë, ngjarje e cila, sipas burimeve, nisi për motive të parëndësishme.

Në planin ekonomik, Koçeku rezulton pronar i vetëm i shoqërisë “G.A.V Invest”, e regjistruar në tetor 2022 në Tiranë me një kapital fillestar prej 30 milionë lekësh. Kompania ushtron aktivitet në projektim dhe ndërtim, si dhe në prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, duke përfshirë zhvillimin e komplekseve civile, turistike dhe industriale, si dhe shërbime në fushën e hotelerisë dhe infrastrukturës rrugore.

Po ashtu, ai zotëron 10% të aksioneve në “Ballenja Kompani”, subjekt që ka përfituar një koncesion 35-vjeçar për ndërtimin dhe financimin e Hidrocentralit “Ballenjë” në Bulqizë, me kontratë të firmosur në vitin 2013. Në këtë projekt, Koçeku figuron edhe si administrator së bashku me dy persona të tjerë.

Ndërkohë, në kompaninë “S G D Energji”, që operon në sektorin e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, ai ka hyrë si aksioner në vitin 2018, duke zotëruar 30% të kapitalit të shoqërisë.

Të ngjashme