Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Bulqizë, ku 61-vjeçari Urim Fiku, i cili fillimisht u raportua nga familjarët se ishte sulmuar për vdekje nga një ari në pyll, sipas Policisë, u vra nga i biri, në bashkëpunim me të shoqen. Sipas të dhënave të ekspertizës, viktima është qëlluar pas shpine me armë zjarri pistoletë, ndërsa plumbi ka qenë tejshkues, duke i hyrë në pjesën e pasme të kurrizit dhe duke i dalë në gjoks.
Përveç plagës nga arma e zjarri, ekspertët kanë konstatuar edhe një plagë të madhe në kokë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një mjet prerës i fortë, sëpatë. Policia e Bulqizës është vënë në dijeni për ngjarjen nga spitali i qytetit, pasi bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tij, Gëzim Fiku, e transportuan 61-vjeçarin në spital me pretekstin e një vizite mjekësore, duke thënë se ai ishte sulmuar nga ariu dhe se para shtëpisë së tyre kishte rënë pa ndjenja.
Gjatë kontrollit mjekësor, mjekët konstatuan se Urim Fiku kishte ndërruar jetë dhe njoftuan Policinë, pasi plagët në trup nuk përputheshin me versionin e familjarëve. Në këto rrethana, gruaja dhe djali kanë insistuar që të tërhiqnin trupin e viktimës për të zhvilluar ceremoninë mortore, pa pritur kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore.
Kryerja e ekspertizës qartësoi se vdekja e Urim Fikut nuk kishte ndodhur nga sulmi i ariut, por nga një armë zjarri pistoletë dhe një goditje me sëpatë në trup. Sipas Policisë, për ngjarjen janë vënë në pranga bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, dhe djali i tij, Gëzim Fiku, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në vrasje. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
