Disa operacione policore, regjistrime penale dhe investigime ngrenë dyshime të forta se kompania Wolt Albania është kamuflim i një organizate kriminale, me në krye bosin kinez Tony Xun Xu. Kompania me aktivitet formal dhe të dukshëm shërbim shpërndarje ushqimesh dhe mallrash të ndryshme në distanca të shkurtëra, është konstatuar se vepron në shpërndarjen e kokainës në qendra urbane të Shqipërisë, trafik qeniesh njerëzore, pastrim parash, korrupsion, falsifikim dokumentesh, skema mashtrimi dhe vepra të tjera në kuadër të organizatës kriminale.

(Dimitrios Karelos, Mari Laatsalo dhe Lisandri Dragoj)
Administratorët e kompanisë Wolt Albania me zyra në katin 5 të Sky Tower janë Dimitrios Karelos, Jarno Kalevi Sivola dhe Mari Johanna Laatsalo. Kjo e fundit është zëvëndësuar disa ditë më parë nga Lisandri Dragoj.
Më herët Dragoj, i cili ushtron edhe një aktivitet biznesi në fushën e marketingut dhe konsulencës, është emëruar drejtor i përgjithshëm i Wolt në Shqipëri dhe Kosovë.

(Tony Xun Xu)
Pas kompanisë Wolt Albania qëndron kinezi Tony Xun Xu. Kompania është në pronësi të shoqërisë Wolt Enterprises Oy, me emër të ndryshuar në Wolt Oy, e cila figuron e rregjistruar në Finlandë, me numër regjistrimi 2646674-9 dhe me seli qendrore ne Pohjoinen Rautatiekatu 21, 00100 Helsinki/Finlandë. Wolt prezantohet si kompani teknologjike amerikano-finlandeze, por ka dyshime të forta se kompania nuk ka lidhje as me SHBA dhe as me Finlandën.

Ka dyshime të forta se kompania Wolt Albania mund të jetë derivat i mafies kineze dhe ruse në Ballkan, me qendër veprimtarie në Serbi. Mafia kineze ka shtrirë vitet e fundit tentakulat në vendet e Ballkanit, duke u maskuar me kompani dhe aktivitete në dukje të ligjshme. Mafia kineze vepron kyesisht në fushën e prostitucionit, trafikut të qenieve njerëzore, prodhimit dhe shpërndarjes së drogërave, skemave të mashtrimit, mashtrime kompjuterike, pastrim parash etj.

Bilancet e kompanisë në raport me aktivitetin ngrenë dyshime të forta për mashtrim. Wolt Albania rezulton çdo vit me humbje deri në 2 milionë euro, ndërsa administratorët e kompanisë tregojnë histori suksesi se si Wolt ka shpëtuar kompani të tjera falimentimi.
Shpërndarje droge
Disa ditë më parë, Policia e Tiranës goditi një grup kriminal me 33 anëtarë, i cili ushtronte veprimtari të shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit, duke përdorur metoda të kamufluara si taksi dhe motoçikleta të shpërndarjes së ushqimit. Nga hetimet ka rezultuar se Olsi Mici lëvizte me taksi për shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa Erdison Gjella përdorte një motoçikletë shpërndarjeje picash, e loguar me një brand ndërkombëtar, Wolt Albania, për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm.

Shpërndarja e kokainës nga motorristat e Wolt Albania nuk është një rast i izoluar. Policia po heton edhe raste të tjera, ku punonjës të kësaj kompanie, nën kamuflimin e shpërndarjes së ushqimit, ushtrojnë aktivitet të paligjshëm duke shpërndarë kokainë nëpër Tiranë dhe qytete të tjera.
Falsifikime dhe korrupsion
Administratorët e kompanisë Wolt Albania dyshohet se kanë korruptuar Olsi Shahinin, ish-drejtori i përgjithshëm i Rezidencës Studentore Universitare N.1 në Tiranë, për të strehuar punëtorët indianë të saj, duke u bërë letrat sikur ishin studentë, me qëllim për të ulur koston e kompanisë për strehimin e tyre. Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet lidhur me skandalin e strehimit të punëtorëve të huaj të kompanisë “Wolt” në konviktet e studentëve në Kamëz.

Mësohet se është regjistruar procedim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” ndaj zyrtarëve të Rezidencës Universitare Nr.1. Hetimi synon të sqarojë dhe zbardhë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë zyrtare dhe ligjshmërinë e kontratave të firmosura me firmat private. Këto zhvillime vijnë pas dorëheqjes së Olsi Shahinit, ish-drejtorit të përgjithshëm të Rezidencës Studentore Universitare N.1 në Tiranë.

(Olsi Shahini)
Shahini u largua pas investigimit mbi strehimin e emigrantëve dhe punonjësve të kompanisë “Wolt” në konviktet e studentëve në Kamëz. Largimi i tij erdhi vetem dy ditë pasi në media u raportua se në konviktet pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, në Kamëz, ku godinat e ndërtuara për rreth 30 milionë euro nga fondet publike për strehimin e studentëve shqiparë dyshohet se po përdoren për të akomoduar punëtorët e huaj të ardhur nga India, Afrika e Vietnami.
Trafik qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim
Pronarët dhe administratorët e kompanisë Wolt Albania dyshohet se janë përfshirë edhe në trafik qeniesh njerëzore. Kompania ka zëvëndësuar në një kohë të shpejtë qindra punëtorë shqiptarë me punëtorë të ardhur nga India, Afrika dhe Vietnami, për të ulur koston dhe maksimalizuar fitimet. Emigrantët e huaj dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes pikave kufitare nga rrjetet e transportit të emigrantëve të paligjshëm. Policia po heton edhe për një skemë kriminale të pajisjes së indianëve të Wolt me dokumente false lejeqëndrimi.

Disa muaj më parë, një numër i madh korrierësh që punojnë për platformën e shpërndarjes së ushqimit Wolt dolën në protestë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe duke denoncuar uljen e tarifave të pagesës. Korrierët marshuan me motorët e tyre në rrugët e kryeqytetit, duke rënë vazhdimisht borive në shenjë proteste.
Korrierët pretenduan se kompania Wolt u ka ulur tarifat për kilometër dhe se shumë prej tyre po përballen me presion dhe kërcënime për largim nga puna.
Një tjetër shqetësim që ngritën protestuesit lidhet me pretendimin se kompania po përpiqej të zëvendësonte një pjesë të korrierëve aktualë me punonjës të huaj, të cilët sipas tyre mund të paguhen me tarifa më të ulëta. Dhe ashtu ndodhi. Për disa muaj, punonjësit shqiptarë u zëvëndësuan kryesisht me indianë.
