Evërteta e dëshmisë së Elvis Matajt për Metën dhe dokumenti ku kreu i PL i kërkon Kastriot Ismailajt 200 mijë…

Evërteta e dëshmisë së Elvis Matajt për Metën dhe dokumenti ku kreu i PL i kërkon Kastriot Ismailajt 200 mijë…

Nga Adriatik Doçi

Dy ditë më parë, Ilir Meta, në kuadër të çmontimin të atyre që ai i konsideron të pavërteta në dosjen e tij, nxori Tedi Blushin, i cili përpos të tjerave solli në vëmendje një dëshmi të ish kryetarit të LRI, Elvis Mataj, i kosideruar si dëshmitar me rëndësi për çështjen e aferës CEZ-DIA.

(Elvis Mataj ka qenë drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA, ndërsa pronar Kastriot Ismailaj, që të dy lidhje të ngushta të Ilir Metës, të provuara me fakte dhe prova. DIA mblidhte fiktivisht borxhin e keq të CEZ, duke marrë miliona euro, ndërsa CEZ favorizohej nga qeveria e atëhershme në dëm të taksapaguesve shqiptarë, sidomos me uljen e shitjes së çmimit të energjisë nga ERE. Për këtë aferë Kastriot Ismailaj bëri 9 vite burg).

Meta, përmes Tedi Blushit, ekspozoi një proceverbal kur Elvis Matja thotë se nuk ka dijeni për çfarëdolloji raporti mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Nuk e dimë me saktësi se cilës prej dëshmive kontradiktore iu referua Blushi, por Elvis Mataj i ka ndryshuar herë pas herë qëndrimet, me sa duket sipas interesave të tij, për rolin e Ilir Metës në aferën CEZ-DIA.

Madje edhe në procesverbalin e publikuar nga Blushi, pyetjes se Romeo Kara (njeriu që çmontoi aferën) ka thënë se Elvis Mataj ka pohuar se Ilir Meta kërkonte nga Kastriot Ismailaj dhe CEZ 10 milionë euro, Mataj tregohet i kujdesshëm duke theksuar se nuk i kujtohej. Mataj përpiqet të mbrohet me ‘nuk më kujtohet’ për shkak të dëshmive të tjera të kundërta të dokumentuara, madje edhe me video, ku ka rrëfyer me detaje se si Ilir Meta ishte ‘peshku i madh’ i aferës CEZ-DIA.

Që Mataj i ndryshon dëshmitë nga fryn era e frikërave dhe dosjeve të tij, këtë e ka evidentuar edhe vetë Ilir Meta tre vite më parë. “Elvis Mata ka dhënë dy herë dëshmi në Gjykatën e Arbitrazhit, por dhe këtu. Dhe asnjëherë nuk ka përmendur emrin tim sepse nuk kishte pse. Por, çuditërisht, në vitin 2015 kur është hapur çështja, ai jep një intervistë një gazetari që përcjell dezinformim dhe të gjitha shpifjet vijnë vetëm për një qëllim, pasi ky person ishte paditur për shkak të abuzimeve që kishte bërë në detyrë”, ka pohuar Meta.

Po e marrim si të mirëqenë pretendimin se Elvis Mataj nuk ishte në dijeni të raportit korruptiv mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt, edhe pse ekzistojnë dokumente (fakte dhe prova) që Mataj ka dijeni të hollësishme se Ilir Meta ishte bosi i aferës CEZ-DIA dhe se ai dhe Ismailaj ishin dora e tij.

Po vetë Ilir Meta a është në dijeni të raportit të tij me Kastriot Ismailajn e DIA-s?

Kjo është një faqe nga dosja e Prokurorisë së Tiranës, ku Ilir Meta, në datën 22 qershor 2009, pasdite, i dërgon një SMS Kastriot Ismailaj, duke i shkruar se nesër duhej të takoheshin patjetër dhe se i duheshin 200 mijë…patjetër. Meta kujdeset duke i thënë ‘mos harro’, duke theksuar rëndësinë e shumës. Ky fakt zhvlerëson çdo dëshmi të ndryshuar nga Elvis Mataj nën presion apo interes rreth dijenisë së tij për raportin mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt.

Jozef Hejsek: Ismailajn na e rekomandoi Ilir Meta

Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek ka dëshmuar se Ismailaj u trajtua si njeriu i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohë në Pragë, Qazim Tepshi. Jozef Hejsek ë bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ. Hapja e procesit penal në Tiranë detyroi Kastriot Ismailajn që të tërhiqej nga arbitrazhi.

Dritan Prifti: Meta udhëtoi në Çeki për kontratën CEZ-DIA

Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. “Ideja ishte që CEZ kishte 200 milionë euro borxhe të pa mbledhura dhe, nëse ai i mblidhte ato, merrte gjysmën”, tha Prifti. Ish ministri i Energjetikës e  bëri këtë deklaratë 4 vite para se të plase skandali. Në vitin 2015, Prifti ka dhënë edhe një dëshmi në prokurori për lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn. Prifti tha se kanë marrë para nga Kastriot Ismailaj edhe 5 deputetë të LSI-së. “Nga llogaria e DIA-­s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI­-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela. Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI­-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motora që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011-­të”, tha Prifti.

Gruaja e Ismailajt: Meta vinte në shtëpinë tonë

Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i nisi Kastriot Ismailajt. “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë….Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”, tha ajo. Pas këtyre deklaratave, Vojsava nuk pranoi të shprehej më për media, pasi kishte marrë kërcënime serioze.

Berisha: Prokuroria të marrë nën hetim Metën

Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, i cili i ka mohuar gjithnjë akuzat. “Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”, tha Berisha.

Afera CEZ-DIA

Afera CEZ-DIA është pjesë një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e pluralizmit në Shqipëri, atë shitjes së 75% të aksioneve të shoqërisë shtetërore OSSH nga qeveria Berisha tek CEZ të në vitin 2009, favorizimet e njëpasnjëshme të CEZ dhe përzënien e dhunshme të CEZ nga Shqipëria në vitin 2013, lëvizje kjo me prapaskenë elektorale dhe korruptive. Një vit pasi Sali Berisha dhe ministrat e tij firmosën privatizimin OSSH, me një mijë pika të errëta dhe favorizime, në skenë u shfaq biznesmeni Kastriot Ismailaj, i cili krijoi kompaninë Debt International Advisory (DIA), në Ishujt Virgjin Britanikë, në 7 korrik 2010.

Më 4 gusht 2010, DIA regjistroi degën e saj në Tiranë, me administrator Ismailajn. Në shtator 2010, CEZ hyri në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Për të fituar kontratën me CEZ, DIA përdori dokumente false. E gjithë kontrata, sipas prokurorëve, bazohej në gënjeshtra, sajesa dhe dokumente false, ndërsa kompania DIA eksitonte vetëm në letra. Sipas ‘kontratës’, CEZ duhet t’i paguante DIA një tarifë fikse 512 mijë euro në muaj, plus edhe tarifën e ‘suksesit’. Ismailaj paraqiste letra false, merrte paratë dhe i zhdukte.

Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg (bëri 9 vite), dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave tё shoqёrinё “CEZ Shpërndarja”, në bashkëpunim me përfaqësues të CEZ. Nga ana tjetër, CEZ ngrite pretendime për njohjen e borxhit të keq tek qeveria Berisha, e cila i pranonte.

Të ngjashme