Përplasje në burgun e Peqinit: kunati i Altin Hajrit godet vëllain e “Rrumit të Shijakut”

Përplasje në burgun e Peqinit: kunati i Altin Hajrit godet vëllain e “Rrumit të Shijakut”

Një përplasje fizike mes dy të paraburgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Në konflikt janë përfshirë Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, dhe Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”. Ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë, në ambientet e përbashkëta të institucionit penitenciar, ku të dy personat mbahen të izoluar, sipas burimeve të medias që raportuan rastin.

Fillimisht, mes dy të paraburgosurve ka pasur një debat verbal, i cili më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Sipas burimeve, Julian Gjoshi i është afruar Vullnet Muçës dhe e ka goditur me grusht. Deri më tani, motivet që çuan në këtë konflikt mbeten të paqarta dhe rrethanat e sakta nuk janë zbardhur.

Incidenti ka vënë në lëvizje autoritetet e burgut, të cilat kanë marrë masa administrative duke i izoluar të dy të paraburgosurit. Rasti mësohet se është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme. Mbetet për t’u zbardhur motivi i sherrit dhe nëse do të ketë masa të tjera ndaj tyre.

Përplasja tërheq vëmendje edhe për shkak të lidhjeve familjare të dy personave. Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ndërsa Vullnet Muça është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Ky i fundit është përmendur në disa dosje të bujshme kriminale dhe i mbijetoi atentatit pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë, mes tyre edhe deputeti i PD-së, Arjan Ndoja.

Ndërkohë, Vullnet Muça është nën akuzë nga SPAK për përfshirje të dyshuar në një skemë të tjetërsimit të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit. Në të njëjtën çështje është i akuzuar edhe vëllai i tij, Aleksandër Laho. Sipas raportimeve, Julian Gjoshi është i arrestuar për akuzën e vrasjes me dashje të shokut të vetë në fshatin Ndroq, ndërsa Vullnet Muça është arrestuar nga SPAK lidhur me një çështje penale që bën fjalë për pronat në Hamallaj.

Të dy personat e përfshirë në konflikt janë nga Shijaku. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që përplasja në burg të ketë lidhje me çështjet penale apo konfliktet e personave me të cilët dy të paraburgosurit kanë lidhje familjare. Autoritetet e burgut dhe Prokuroria nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi hetimin. Rasti mbetet nën shqyrtim për të përcaktuar përgjegjësitë dhe eventuale masa të tjera ndaj të përfshirëve.

Të ngjashme