Skandali i helmimit në Akademinë e Sigurisë/ Del emri i ‘Sori-Al’ të Alma Tafanit

Alma Tafanit
Alma Tafanit

Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital pas një helmimi të dyshuar ushqimor, që dyshohet të ketë ardhur nga dreka e konsumuar në ambientet e institucionit.

Studentët shfaqën simptoma të forta si të përziera, dhimbje të theksuara barku dhe të vjella, çka bëri të nevojshëm transportimin e tyre drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Pas marrjes së trajtimit me serume dhe medikamente, ata janë larguar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime për mediat bëjnë me dije se shërbimi ushqimor në Akademinë e Sigurisë ofrohej nga kompania private “SORI-AL”, e cila kishte kontratë për furnizimin me tre vakte në ditë për studentët. Administratorja e kompanisë, Alma Tafani, është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Ndërkohë, Komisariati i Policisë Nr. 1 ka arrestuar dy persona në lidhje me këtë ngjarje, konkretisht teknologun dhe kuzhinierin e kompanisë së kateringut që përgatiste dhe shpërndante ushqimin.

Burime bëjnë me dije se ndaj tyre rëndojnë dyshime për shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete.

Pas incidentit, institucionet përgjegjëse kanë nisur verifikimet dhe analizat laboratorike mbi mostrat e ushqimit të konsumuar nga studentët. Rezultatet pritet të zbardhin shkakun e helmimit dhe të konfirmojnë nëse ka pasur shkelje gjatë përgatitjes apo shpërndarjes së vakteve.

Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga kompania lidhur me ngjarjen.

Publikuar nga Publik Media

Të ngjashme