SPAK i sekuestron Redi Strugës pasuri dhe 138 milionë euro

redi struga
redi struga

Rreth 138 milionë euro janë sekuestruar nga llogaritë e kompanisë “Albanian Land Development”, në pronësi të biznesmenit Redi Struga, në kuadër të megaoperacionit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kundër një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, sekuestrimi i fondeve është bërë si pjesë e një hetimi të gjerë ku janë lëshuar gjithsej 20 masa sigurie ndaj personave të ndryshëm.

Në dosje përmendet edhe biznesmeni Artur Shehu, i cili ndodhet në kërkim nga SPAK dhe dyshohet se i ka shitur prona kësaj kompanie. Hetuesit po verifikojnë transaksionet financiare dhe lëvizjet e kapitalit për të zbardhur origjinën e fondeve dhe lidhjet e mundshme me aktivitetin kriminal që po hetohet.

Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të lidhura me persona të ndryshëm, përfshirë prona në zonën e Green Coast në Palasë, të regjistruara në emër të Erion dhe Adrian Ramaj, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë rrjetin e përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal.

Të ngjashme