Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se negociatat me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet e 9 majit do të zhvillohen me synimin për të krijuar një front të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.
I pyetur nëse është dakord që kandidati për Bashkinë e Tiranës të vijë nga radhët e protestës, Berisha tha se në protestë kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike, por edhe qytetarë pa parti, duke e cilësuar atë si një bashkim të paprecedentë.
Ai theksoi se përzgjedhja e kandidaturës duhet të bëhet pa paragjykime dhe duke pasur si kriter interesin e qytetarëve të Tiranës.
“Ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës. Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front”, tha Berisha ne nje konference me gazetaret.
Berisha deklaroi se opozita duhet të arrijë një marrëveshje të gjerë, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përcaktojnë nëse e konsiderojnë qeverisjen e Ramës një rrezik ekzistencial për vendin.
“Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forcë në interesin e tij dhe të partisë të bashkohemi në një front”, deklaroi ai.
Kreu i PD hodhi poshtë gjithashtu pritshmëritë se qëndrimi i ndërkombëtarëve duhet të jetë përcaktues për bashkimin e opozitës, duke theksuar se sipas tij këshilla e tyre ka qenë që opozita të bashkohet.
Pyetje: Duke qenë se keni deklaruar se këtë javë do të nisni negociatat për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjet e 9 majit, a kanë nisur këto negociata dhe a jeni dakord me një kërkesë të shprehur që kandidati për bashkinë e Tiranës të jetë nga radhët e protestës?
Berisha: Aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarë pa parti. Protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Me atë që unë jam, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.
Se, po të nisemi nga protesta, të garantoj që në trashëgiminë e tyre ata që kanë jo 170 ditë, por kanë 500-700 ditë në protestë, janë në përgjithësi të PD-së.
Por ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës.
Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front.
Nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë do të thonë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kanë vetëm një këshillë: bashkohuni si opozitë. Nuk ishte Vuçiçi rrezik ekzistencial për Serbinë, siç është Edi Rama.
Këta që i referohen lëvizjes serbe, duhet t’i referohen vërtetësisht dhe jo kot së koti. E vërteta është që lëvizja serbe është një përzierje e të gjitha rrymave, shumë prej të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët në programet e tyre.
Unë ftoj të gjithë shqiptarët ta konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë. Me durim, por ne shpresojmë se kjo axhendë do të ecë.
